Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e qeverisë së tij se po vrasin konkurrencën në turizëm.
Komentet Berisha i bëri gjatë një bashkëbisedimi me shoqatat e turizmit në vend, ku tha se qeveria mbështet persona me rekorde kriminale për të marrë leje për hotele dhe motele.
Ai tha gjithashtu se Edi Rama grabiti 24 hektarë tokë, vetëm se është kryeministër.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Tani kur Olta Xhaçka shkon dhe vjedh me bashkëshortin 10 mijë metër katrorë tokë publike dhe e paraqet si tokë të veten të trashëguar, a mund të më thoni ju se çfarë i mbetet këtij operatori, këtij investitori që e blen tokën 150 euro apo 100 euro për të ndërtuar?
Edi Rama vetë shkon dhe merr 225 mijë metër katrorë tokë me emrin e nënës së vet dhe vëllait, tokë pa asnjë dokument kadastral.
Tokë pa asnjë dokument që të faktojë se ka qenë e konfiskuar nga regjimi komunist.
Tokë, e cila kujtdo mund t’i përkiste, por jo Kolekëve, pasi vetë Spiro Koleka thotë se nuk kishin tokë. Ai thotë nuk kishim tokë, nipi i tij bëhet me 24 hektarë se u bë kryeministër.
Mirëpo kjo e vret konkurrencën e ndershme në mënyrë barbare.
Vilma Nushi. Nushët më të varfrit aty. Shkon dhe ndërton fshatin turistik pa leje, pa asgjë.
Në këtë aspekt, këta zotërinj që i mbijetojnë kësaj konkurrence, kësaj xhungle që ka krijuar qeveria në këtë industri, janë heronj të vërtetë sepse janë të vendosur në kushtet më të pabarabarta.
Kudo industria është delikate.
Kudo hoteleria është delikate.
Kudo sistemi i restoranteve është delikat dhe kërkon një menaxhim të zotin, por kërkon edhe rregulla të ndershme.
Kurse këta përballen me një xhungël të vërtetë që udhëhiqet nga qeveritarët./e.t