Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, zhvilloi sot një takim me banorët e fshatrave Piqeras, Sasaj, Lukovë, Borsh, Himarë dhe Shën Vasil, ku theksoi se ka qenë i vetmi që ka ngritur zërin publikisht për problematikat e tyre.
Takimi u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë dhe atmosferë entuziaste, që sipas Bidos, dëshmoi qartë besimin e banorëve dhe nevojën për përfaqësim të denjë në Kuvend.
Në fokus të diskutimeve ishin turizmi, legalizimet, përmirësimi i shërbimeve publike dhe kthimi i potencialit të zonës në mundësi konkrete zhvillimi.
“Zëri im do të vazhdojë të jetë aty ku duhet zgjidhje për çdo fshat, për çdo banor, për çdo hall që nuk mund të injorohet”, – u shpreh Bido, duke shtuar se këto fshatra nuk janë thjesht peizazhe për kartolina, por vendbanime të gjalla që meritojnë të ardhme.
Bido theksoi gjithashtu se nuk ka qenë në këto zona vetëm në prag zgjedhjesh, por ka ndjekur nga afër problematikat e tyre ndër vite, duke garantuar përkushtim dhe përfaqësim serioz në Parlament.