Brigjet lindore të Australisë janë goditur nga dallgë të mëdha dhe kushte të rrezikshme detare që kanë sjellë pasoja tragjike. Të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Tragjedia filloi të premten kur një grup personash mbetën në det në zonën bregdetare të San Remos, në shtetin e Victorias. Sipas policisë, një grua arriti të kthehej në breg, por një tjetër grua dhe një burrë nuk ia dolën. Trupi i gruas u gjet i pajetë, ndërsa burri ende mungon.
Ndërkohë, në Uellsin e Ri Jugor, një tjetër incident i rëndë ndodhi pranë Tathras, ku të shtunën u gjet trupi i një burri. Një ditë më parë, një peshkatar 58-vjeçar dhe dy burra të tjerë u raportuan të vdekur në të njëjtën zonë. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për një burrë tjetër që dyshohet se është zhdukur pranë Sidneit.
Kushtet e motit janë përkeqësuar ndjeshëm përgjatë vijës bregdetare lindore, me paralajmërime për dallgë të mëdha dhe rryma të forta, duke rritur rrezikun për banorët dhe vizitorët që frekuentojnë zonat e plazhit.
Kryeministrja e Victorias, Jacinta Allan, e quajti këtë një “fillim të tmerrshëm të fundjavës së Pashkëve” dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
“Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe u kërkojmë të gjithëve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë në plazhe,” tha Allan në një deklaratë për mediat.
Autoritetet vendase dhe ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të gjetur të zhdukurit dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në zonat bregdetare./e.t