Një tjetër akt brutal dhune ka tronditur Ekuadorin, ku persona të armatosur, të veshur me uniforma ushtarake dhe me fytyra të mbuluara, hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish që ishin mbledhur për të parë një përleshje gjelash. Sulmi ndodhi rreth mesnatës në një zonë rurale, në kufirin mes provincave Manaví dhe Santo Domingo de los Tsáchilas, në veriperëndim të vendit.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën 12 persona mbetën të vrarë në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë janë plagosur. Numri i saktë i të lënduarve ende nuk është bërë publik.
Policia e përshkroi sulmin si një “masakër e koordinuar”, duke theksuar se agresorët përdorën armë të gjata automatike dhe operuan në mënyrë profesionale, çka shton dyshimet se pas ngjarjes qëndrojnë grupime kriminale të lidhura me bandat e drogës. Sulmi u regjistrua në një nga zonat më të tensionuara të vendit, ku prej kohësh është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, për shkak të përplasjeve të dhunshme mes grupeve kriminale.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, të marra nga një kamerë sigurie, tregojnë momentet tronditëse kur një grup prej të paktën pesë burrash të armatosur zbresin nga një automjet dhe hapin zjarr ndaj civilëve, duke shkaktuar kaos dhe panik.
Presidenti i sapozgjedhur i Ekuadorit, Daniel Noboa, i cili ka premtuar një qasje të ashpër ndaj krimit të organizuar, ka dënuar masakrën dhe ka përsëritur thirrjen e tij për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër trafikut të drogës.
Noboa ka propozuar rikthimin e pranisë ushtarake amerikane në vend dhe bashkëpunim me forcat speciale për të goditur rrënjët e krimit të organizuar, që po destabilizon Ekuadorin në mënyrë të paprecedentë.
Kjo masakër është një tjetër dëshmi e përshkallëzimit të dhunës në Ekuador, një vend që ndodhet në një nga korridoret kryesore të trafikut të kokainës në Amerikën Latine, dhe që sot po përballet me një krizë të thellë të sigurisë publike..e,t