Kandidati i Lëvizjes BASHKË për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori, ka publikuar një video ku shfaqet duke ecur në rrugë dhe duke denoncuar gjendjen nga ndotja e ajrit. Qori thotë se zhvillon fushatën në këmbë, për të qenë pranë qytetarëve dhe për të ndarë me ta të njëjtat vështirësi të përditshme.
Ai nënvizon se ndotja, trafiku dhe mungesa e hapësirave publike janë pasoja të një modeli qeverisës që, sipas tij, favorizon oligarkët dhe të pasurit, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me vështirësi të përditshme, që shpeshherë rrezikojnë edhe shëndetin e tyre.
Gjithashtu Qori ndalet edhe te mungesa e trotuareve në kryeqytet, duke e cilësuar këtë si një tjetër simbol të përçmimit të pushtetit ndaj qytetarëve. Duke prezantuar vizionin e Lëvizjes Bashkë, ai premton një model të ri politik dhe urban, ku prioritet do të jenë mjedisi, shëndeti dhe të drejtat e qytetarëve për një hapësirë publike më miqësore dhe më të shëndetshme për të gjithë.
“Pluhuri! Të mbyt pluhuri! Ha pluhur e thith pluhur, ku di un, si në asnjë vend të Europës jo e jo, por kam përshtypjen edhe nëpër botë. Mirëpo prap se prap, është mënyra më e mirë për të bërë fushatë, për të qenë pranë qytetarëve, për të vuajtur njësoj si ata. Sepse vetëm kush e pëson si gjithë të tjerët, mund të mendojë seriozisht për mënyrat se si do të zgjidhen këto probleme.
Politikanët tanë të pasur, oligarkët që kanë pushtetin ekonomik, jetojnë në ato kodrat e pyjet, në ajër të pastër dhe me të gjitha salltanetet, ndërkohë që qytetari i thjeshtë sëmuret, vuan dhe herë pas here edhe vdes.
Është tmerr i përditshëm. Unë e vuaj me fëmijët e mi këtë gjë. Tirana është i vetmi kryeqytet ku trotuaret janë bërë për zhapikë dhe minj. Aq ngushtë janë sa njeriu nuk kalon dot, lëre më prindi me fëmijë me karrocë. Është një qytet i ndërtuar e i konceptuar nga njerëz që kanë menduar orë e çast vetëm si të vjedhin dhe si ta përdorin hapësirën urbane për përfitime,” thotë Qori./E.S