Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 11 Majit, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, së bashku me kreun e SPAK Altin Dumani dhe atë të Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela takuan përfaqësuesit e diplomacive të huaja në Tiranë, në një organizim të ambasadës gjermane.
Në njoftimin zyrtar të kësaj të fundit, nënvizohet se diskutimet ishin mbi shqetësimet dhe ankesat e grumbulluara si dhe mbi procedimet që janë duke u ndjekur në disa zona të vendit, sa i përket krimeve zgjedhore.
“Organizimi i zgjedhjeve do të jetë një matës i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, edhe për sa i përket aspiratës së vendit për anëtarësim në BE”, thuhet në deklaratën e ambasadës gjermane.
Përveç ambasadorit gjerman, në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, si dhe kreu i Misionit të Vëzhgimit të OSBE-ODIHR, ambasadori Zanier, me disa anëtarë të delegacionit të BE-së./E.S