Adrian Bajrami ka arritur një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke shënuar golin e parë me ekipin A të Benficës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ishte titullar në sfidën e Kupës kundër Tirsense, që përfundoi me rezultatin e thellë 4-0 në favor të “shqiponjave të Lisbonës”.
23-vjeçari e nisi ndeshjen nga minuta e parë në “Stadiumin e Dritave” dhe shkëlqeu gjatë gjithë 90 minutave.
Goli i tij erdhi në minutën e 74-t, pas një goditje nga këndi, ku Bajrami përfitoi për të dërguar topin në rrjetë. Me këtë paraqitje të fortë, ai dha një sinjal të qartë se është gati për të pasur më shumë hapësira në ekipin e parë të luzitanëve.
Përveç golit, performanca e Bajramit u vlerësua shumë lart, duke marrë notën 8.1. Mbrojtësi kuqezi është kapiten i ekipit Benfica B dhe ka luajtur tre ndeshje me fanellën e Kombëtares shqiptare. m.p.