Procesi i votimit nga jashtë vendit po shoqërohet me ankesa, pengesa logjistike dhe shkelje të hapura të ligjit zgjedhor. Ndërkohë që ende në disa familje nuk kanë shkuar zarfet nga DHL, shqetësime për SPAK vijnë nga personat të cilët deklarojnë votën e tyre duke kryer vepër penale.
Votimi nga jashtë territorit të Shqipërisë po aplikohet për herë të parë në një proces zgjedhor dhe ndonëse konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së diasporës në jetën politike të vendit, zbatimi i tij praktikë është shoqëruar me një sërë vështirësish. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar angazhim maksimal për garantimin e barazisë dhe rregullsisë në këtë proces, por rrjedha e ngjarjeve tregon se pengesat logjistike dhe mungesa e koordinimit me shërbimin postar kanë krijuar situata të ndërlikuara për një pjesë të madhe të votuesve.
Ankesa nga Partia Socialiste
Partia Socialiste i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një letër ku liston problemet e konstatuara në votimin nga jashtë. Në këtë ankesë, PS thekson se një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk kanë marrë njoftime të sakta dhe në kohë nga kompania DHL për dërgimin e zarfeve me fletët e votimit. Këto shqetësime janë më të dukshme në dy shtetet ku ndodhet numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, Greqi dhe Itali. Mes problemeve të evidentuara përmendet mungesa e komunikimit efektiv nga ana e DHL-së, me qytetarë që raportojnë pamundësi për të kontaktuar shërbimin postar, telefonata të pasuksesshme, apo edhe refuzim për të marrë zarfin e kthimit. Në disa raste, votuesve u është kërkuar që të dorëzojnë fizikisht zarfin në sportel, gjë që bie ndesh me udhëzimet e procesit. Gjithashtu, janë raportuar raste kur në zarfin e dërguar ka munguar fleta e votimit, problem i hasur në vende si SHBA, Angli, Itali dhe Greqi. Nuk mungojnë as rastet kur zarfi ka mbërritur vetëm për disa anëtarë të një familjeje, ndonëse të gjithë janë regjistruar në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën adresë në sistemin PER. Partia Socialiste i kërkon KQZ-së të ndërhyjë menjëherë pranë DHL-së për të zgjidhur problemet e konstatuara dhe për të garantuar një standard të njëjtë për të gjithë votuesit jashtë vendit.
Publikimi i votës, shkelje e hapur e ligjit
Një tjetër zhvillim shqetësues që ka shoqëruar procesin e votimit nga jashtë është publikimi i hapur i votës nga ana e disa qytetarëve, kryesisht simpatizantë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Këta votues kanë ndarë në rrjetet sociale foto dhe video të fletës së votimit, në një akt që, përveçse bie ndesh me ligjin zgjedhor, është kthyer në një lloj trendi në platformat online. Një rast i fundit është ai i një emigranti shqiptar, i cili ka publikuar një video në Facebook ku, duke reaguar ndaj deklaratës fyese të Edi Ramës për “burrat çyrykë”, shprehet se ai dhe familja e tij kanë votuar për Partinë Demokratike pikërisht për këtë arsye. Në video ai shfaq zarfin e votimit, bën thirrje për votë dhe e shoqëron postimin me mesazhe të qarta politike, në shkelje të plotë të dispozitave ligjore për fshehtësinë dhe integritetin e votës. Rasti është bërë edhe më i debatueshëm pasi ka marrë përkrahje publike nga gjyqtari Gjin Gjoni, aktualisht kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës nën siglën e Partisë Demokratike. Gjoni ka ndarë videon e emigrantit në profilin e tij personal në Facebook, duke e cilësuar atë si “akt patriotik” dhe duke i dhënë përmasë politike një akt që nga KQZ konsiderohet si vepër penale.
Qëndrimi i KQZ-së
Në reagimin e tij publik, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka deklaruar se pjesa dërrmuese e procesit është zhvilluar normalisht dhe se ankesat e adresuara janë të natyrës sporadike. “Nga mbi 154 mijë fletë votimi të dërguara, kemi vetëm rreth 100 raste problematike,” tha Celibashi. Megjithatë, ai ka shprehur shqetësimin e tij të fortë për trendin e publikimit të votës nga ana e qytetarëve që votojnë nga jashtë. “Njerëzit po kryejnë një vepër penale dhe nuk e kuptojnë. Ne po shpenzojmë një buxhet të konsiderueshëm për këtë proces dhe u kërkoj të gjithëve të tregohen seriozë,” theksoi Celibashi. Në përmbyllje, ai apeloi për përmbajtje edhe në gjuhën politike që përdorin liderët në fushatën zgjedhore brenda vendit, duke theksuar nevojën për ruajtjen e integritetit të procesit dhe etikës publike.
Votimi në burg
OSBE trajnon punonjësit e administratës për 11 Majin
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi një trajnim për rreth 45 punonjës të nivelit të lartë të burgjeve mbi të drejtën e votës në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Qëllimi i këtij trajnimi ishte të mbështeste administratën e burgjeve për të siguruar mbrojtjen dhe lehtësimin e ushtrimit të të drejtës së votës nga të dënuarit dhe të paraburgosurit, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare. Programi përfshiu një gamë të gjerë temash, që nga kuadri ligjor që rregullon të drejtën e votës së të burgosurve, masat praktike për lehtësimin e votimit në burgje e deri te praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra nga zgjedhjet e mëparshme. Pjesëmarrësit u angazhuan në sesione ndërvepruese për të nxitur pjesëmarrjen në zgjedhje të të burgosurve me të drejtë vote. Trajnimi, gjithashtu, adresoi sfidat logjistike dhe ligjore me të cilat përballet administrata e burgjeve gjatë zgjedhjeve dhe ofroi udhëzime praktike për të siguruar transparencë, akses dhe siguri gjatë procesit të votimit. “Sot, fokusohemi në një nga gurët themeltarë të demokracisë: të drejtën për të votuar. Në Shqipëri, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor e garantojnë këtë të drejtë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe personat e burgosur, përveç rasteve kur kjo e drejtë është hequr shprehimisht me vendim gjykate. Prandaj, është përgjegjësia juaj, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë etik, që kjo e drejtë të respektohet dhe të mundësohet,” tha ambasadori Michel Tarran, Kryetari i Prezencës së OSBE-së. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, tha se janë gjithsej 3 027 persona, të dënuar dhe të paraburgosur, që pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale. “Procesi zgjedhor në institucionet penitenciare do të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, falë edhe bashkëpunimit me OSBE-në. Kërkoj seriozitet maksimal nga të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë proces. Mbi të gjitha, duhet të garantohet që vullneti i çdo individi të shprehet lirisht dhe pa asnjë lloj ndikimi”, tha ai.