Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, vëmendja e botës katolike është përqendruar te pasuesi i mundshëm i tij. Një emër që përmendet gjithnjë e më shpesh në qarqet kishtare dhe mediat ndërkombëtare është ai i Kardinalit filipinas Luis Antonio Tagle.
Tagle, 68 vjeç, është një figurë e njohur dhe e respektuar në hierarkinë e Vatikanit. I lindur në një familje modeste me baba filipinas dhe nënë me origjinë kineze ai ka ndërtuar një profil të fortë si teolog, njeri i përulur dhe me një vizion të hapur për të ardhmen e Kishës. Që nga viti 2015, kur mori pjesë përkrah Papa Françeskut në meshën historike në Manila me mbi 7 milionë besimtarë, ai është përmendur si simbol i besimit të gjallë aziatik.
Vetë Papa Françesku kishte deklaruar asokohe: “E ardhmja e Kishës është në Azi.” Dhe kjo e bën kandidaturën e Tagles edhe më domethënëse në kontekstin aktual.
Kardinali filipinas është cilësuar si një ndër figurat më progresiste brenda Kishës Katolike. Ai ka folur hapur për nevojën që Kisha të afrohet me të divorcuarit dhe anëtarët e komunitetit LGBT, duke theksuar se “asnjë shpirt nuk duhet braktisur”.
Përveç përgatitjes së tij teologjike dhe përkushtimit shpirtëror, një element tjetër që e favorizon është edhe lidhja e tij e fortë me Azinë dhe Kinën, në një kohë kur Vatikani po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Pekinin përmes marrëveshjeve të ndjeshme mbi emërimet kishtare.
Në Konklavën e vitit 2013, që çoi në zgjedhjen e Papa Françeskut, Tagle kishte thënë me humor: “Unë Papë? Po kjo është një shaka.” Por këtë herë, ai nuk e ka përsëritur të njëjtën shprehje. Me Kishën në një moment vendimtar, shumë sy janë drejtuar nga Azia dhe nga Kardinali Luis Antonio Tagle./E.S