Një film i ri horror po “pushton” kinematë dhe po merr vlerësime të larta nga kritikat. “Sinners”, i regjisorit të njohur Ryan Coogler (i njohur për “Black Panther” dhe “Creed”), është cilësuar si filmi me vlerësimet më të larta i dekadës, sipas Film Buzzr, falë një rezultati prej 98% në Rotten Tomatoes.
Filmi, ku aktori Michael B. Jordan luan dy role si binjakët Smoke dhe Stack, është ngjitur në vendin e parë të fitimeve këtë fundjavë, duke lënë pas edhe “A Minecraft Movie”, me të ardhura prej 45.6 milionë dollarësh në SHBA, sipas të dhënave nga Associated Press.
Filmi, i vendosur në vitin 1932 në shtetin e Mississippit, ndjek historinë e dy vëllezërve binjakë që drejtojnë një biznes, ndërkohë që përballen me forca të errëta. Krahas Jordan, në kast marrin pjesë edhe Miles Caton, Saul Williams, Andrene Ward-Hammond, Jack O’Connell, Tenaj L. Jackson, dhe të tjerë.
Produksioni i Warner Bros ka pasur një buxhet të llogaritur rreth 90 milionë dollarë. Marrëveshja inovative e Coogler, e cila përfshin përqindje nga të ardhurat bruto dhe pronësinë e filmit pas 25 vitesh, ka ngjallur reagime të forta në industrinë e filmit.
Sipas burimeve të Vulture, drejtuesit e studiove konkurrente janë të shqetësuar, duke e quajtur këtë marrëveshje “një precedent shumë të rrezikshëm” që mund të tronditë sistemin aktual të industrisë së filmit.
CEO i IMAX, Rich Gelfond, u shpreh për Variety: “Ka qenë një përvojë fantastike bashkëpunimi me Ryan për këtë film të jashtëzakonshëm dhe të realizuar me mjeshtëri. Jemi të lumtur që IMAX ishte pjesë e këtij debutimi të suksesshëm.”
Ekspertët e industrisë parashikojnë që investimi i madh në këtë projekt do të ketë ndikim afatgjatë, si në aspektin komercial, ashtu edhe në atë krijues, duke ngritur standardin për filmat e ardhshëm të zhanrit./E.Ç