Nga Rudina Koromani, Psikologe Klinike
LIDHJA komplekse e NJERIUT ME KAFSHËT
Dhe Perëndia krijoi kafshët e ujit dhe të Tokës: Të mbushen ujërat me qënie të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë në hapsirat qiellore. (Dita 4-t) Të prodhojë Toka qënie të gjalla ( Dita 5-të) E kështu u bë! E më pas krijoi NJERIUN!
25 prill 2025… Para disa ditësh një video e realizuar nga dy fëmijë që çanin barkun e një qenushi dhe e hidhnin me shkelm në Urën Vajgurore tronditi opinion publik…Çfarë po ndodh kështu teksa jetojmë në kohëra ku një pjesë e madhe e njerëzve blejnë kafshë shtëpiake (një trend në rritje), disa më pak egoistë adoptojnë e kujdesen për kafshët e rrugëve, kemi shoqata pafund për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve e madje protesta qytetare për mbrojtjen e tyre që sa vijnë dhe shtojnë ndërgjegjësimin…Pse ndodhin ende mizori të tilla keqtrajtimi?
NGA MACET, QENTË… ne ndajmë shtëpinë dhe botën tonë me një mori krijesash të jashtëzakonshme. Është e pamundur të mos ndjesh dashuri kur ata të afrohen me shikim lutës apo kur gëzojnë teksa kupton se u ke munguar… Megjithëse nuk janë në gjendje të komunikojnë me fjalë, kafshët na mësojnë kaq shumë rreth mjedisit tonë dhe marrdhënieve. Këto krijesa na kujtojnë të shijojmë çdo moment, të duam pa kushte dhe të njohim lumturinë në momentet tona të vogla. Ata janë gjithmonë aty për të na bërë shoqëri, për të na ngacmuar me veprimet e tyre gazmore dhe për të dëgjuar me durim hallet tona pas një dite të gjatë…dashuri pa kushte.
Ndonëse njeriu modern ka evoluar, gjithmonë do ketë për të mësuar rreth kafshëve të mahnitshme që e rrethojnë. Ne njerëzorët modernë njohim vetëm një pjesë të vogël të miliona llojeve të kafshëve që ekzistojnë në planet dhe kemi kuptuar tashmë se edhe krijesat më të vogla luajnë një rol vendimtar në ekzistencën tonë. Kafshët na mësojnë se ne nuk jemi të vetmet qenie të ndjeshme dhe të mençura në këtë planet.
Ne nuk e zotërojmë planetin Tokë, ne i përkasim atij: na duhet ta ndajmë këtë planet dhe me gjallesat e tjera të krijuara para nesh.
Lidhja midis njerëzve dhe kafshëve është e rrënjosur thellë në historinë tonë evolucionare. Fillimisht, kafshët zbuteshin kryesisht për bujqësi, ushqim, gjueti dhe mbrojtje. Megjithatë, me kalimin e kohës, kjo marrëdhënie evoluoi në një lidhje më emocionale, ku kafshët u bënë shoqëruese dhe anëtarë të familjes. Prej kohësh është vërtetuar nga studimet se sa implikime të rëndësishme ka në mirqënien fizike e psikologjike të njeriut marrdhënia e mirë më kafshët, duke ndikuar në aspekte të ndryshme të shëndetit mendor, duke përfshirë reduktimin e stresit, mbështetjen emocionale dhe ndërveprimin social. Lidhja njeri-kafshë përkufizohet si një marrëdhënie dinamike dhe reciprokisht e dobishme për të gjitha palët.
“Duajini kafshët, duajini bimët, duani gjithçka. Nëse doni gjithçka, do të perceptoni misterin hyjnor.” – Fjodor Dostojevski, “Vëllezërit Karamazov”
Kafshët me të cilat ne bashkëjetojmë në ditët e sotme jetojnë brenda mjedisit të ndërtuar nga njerëzit, kështu që kjo lidhje vazhdon të formohet dhe të formësohet ndërsa shoqëria përparon. Që kur kafshët u afruan të jetojnë me njeriun, (duke u larguar nga habitati i tyre natyror- apo i larguam?), ato nuk mund të kujdesen vetë për veten në mënyrë të plotë. Ushqimi, uji, strehimi, kujdesi mjekësor – të gjitha varen nga njeriu. Kështu lindi dhe përgjegjësia morale dhe ligjore për t’u kujdesur për ta nga njeriu. Duke mbrojtur kafshët, kontribuojmë në ndalimin e abuzimit dhe keqtrajtimit që, fatkeqësisht, ndodh ende shumë shpesh.
Një shoqëri që trajton mirë kafshët është shpesh edhe më e drejtë, më humane dhe më e ndërgjegjshme në përgjithësi.
Në fund të fundit, mënyra se si sillemi me kafshët thotë shumë për ne si njerëz.
Në disa vende të botës, kafshët e zbutuara respektohen, ushqehen e mbrohen. Shembulli më mirë është Stambolli famshëm…Përafërsisht 125,000 mace endacake mendohet se jetojnë në Stambollin 15 milion banorësh (numër që shkon në 200 mijë nëse llogariten dhe macet shtëpiake), vendi i quajtur “parajsa e maceve”. Për arsye të besimit fetar të tyre, në këtë qytet historik, macet jo vetëm që lihen të lira por u ofrohet nga qytetarët ushqim e ujë e kujdes i vazhdueshëm mjeksor. Në përgjithësi, çdo rrugë në Stamboll ka mace që janë të njohura për vendasit, fakt ky që e bën qytetin të duartrokitet nga adhuruesit dhe mbrojtësit e të drejtave të kafshëve.
Studimi global i vitit 2024 i PET PARENT mbi kafshët shtëpiake vlerëson popullsinë globale të kafshëve shtëpiake në rreth 1 miliardë. Macet mbeten kafshët shtëpiake më të preferuara mes 52% të meshkujve krahasuar me 48% të femrave. Nga 56% e personave që mbajnë një kafshë shtëpiake (mace oapo qen), 47% janë pronarë kafshësh për herë të parë- një trend në rritje siodomos nga kërkesat e gjeneratave të reja. E përballë këtij trendi kemi dhe anën tjetër të medaljes: keqtrajtimin e tyre…e më keq akoma keqtrajtimi i kafshëvë nga fëmjët.
Jo rrallë, marrëdhëniet njeri-kafshë karakterizohen nga forma dhe nivele të ndryshme abuzimi të drejpërdrejta dhe indirekte me impakt po reciprok. Ka situata në të cilat pasojat negative janë të qarta dhe goditëse, si në rastin e dhunës, abuzimit ose neglizhimit të kafshëve.
Rasti në Urën vajgurore, ku dy fëmijë, 15 dhe 10 vjeç keqtratonin një qenush të vogël rruge, shkaktoi reagime publike lidhur me pandjeshmërinë e këtyre fëmijëve dhë mizorinë e këtyre akteve që sa vijnë dhe po shpeshtohen në publikimet e mediave sociale. Të gjithë mundohen të kuptojnë arsyet që qëndrojnë pas këtyre sjelljeve makabre ndaj kafshëve të pafajshme teksa qeshin duke i masakruar e hedhur nga urat e qyeteteve ku jetojnë: nuk kursejnë as qen e as mace…Edukimi? Mungesa e implementimit të duhur penal? Kriminelë e psikopatë të lindur?
Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se çdo incident i keqtrajtimit të kafshëve nga fëmijët nuk duhet anashkaluar. Të kuptuarit pse një fëmijë sillet keq ndaj kafshëve shtëpiake ose kafshëve është çelësi për të ndryshuar sjelljen. Çrregullimet e zhvillimit dhe Fëmijët që abuzohen janë ndër disa nga arsyet pse fëmijët më të rritur abuzojnë me kafshët
Tek të rriturit, arsyeja më e zakonshme për mizorinë e kafshëve është zemërimi, dhe kjo shpesh është e rrënjosur në dinamikën e PUSHTETIT, një histori dhune apo edhe psikopati.
Fëmijët, në varësi të zhvillimit, mund të mos njohin të drejtën nga e gabuara, dhe mund t’i ekspozojnë emocionet e tyre negative dhe të veprojnë ndaj kafshëve që shohin. Përveç kuriozitetit ose eksplorimit, motivet e një fëmije që kryen mizori ndaj kafshëve mund të përfshijnë presionin e bashkëmoshatarëve, për të lehtësuar mërzinë ose kur detyrohet ta bëjë këtë sjellje nga një individ më i fuqishëm (për shembull, një i rritur në jetën e fëmijës).
Nga ana tjetër, praktika klinike me këta fëmijë ka treguar se reagimi ndaj fëmijëve keqbërës me ndëshkim fizik apo frikësim do të ishte kundërproduktive dhe madje mund të përforconte ciklin e dhunës. Disa reagime nga opinioni publik u shprehën në mediat sociale e televizive se këta fëmijë janë kriminelë e madje disa sugjeruan që këta fëmijë të dënohen: por sa e dobishme do të ishte drejtësia ndëshkuese në trajtimin e aspekteve komplekse psiko-sociale tek fëmijët që kryejnë akte të tilla? Edukimi i fëmijës për rëndësinë e lidhjes dhe respektimit të marrëdhënieve të jetesës mund të ndihmojë në reduktimin e sjelljeve neglizhuese, teksa për rastet abuzive të konstatuara rehabilitimi dhe riedukimi do të ishin zgjidhjet në termat afatgjatë për këta fëmijë nëse kërkojmë të kemi një shoqëri më të mirë në të nesërmen tonë.
Një fëmijë që përsërit veprimin, ka gjithashtu më shumë gjasa të jetë mizor qëllimisht sesa kurioz. Abuzimi me kafshët i kryer nga fëmijët më të mëdhenj se 10 vjeç lidhet me abuzimin e tyre në fëmijëri.
“Një qeni nuk i intereson nëse je i pasur apo i varfër, i arsimuar apo analfabet, i zgjuar apo i mërzitshëm. Jepi atij zemrën tënde dhe ai do të të japë të tijën”
Kafshët ofrojnë dashuri dhe shoqëri të pakushtëzuar, të cilat mund të jenë veçanërisht të dobishme për individët që përjetojnë vetmi, depresion ose ankth.
Për shumë njerëz, kafshët shtëpiake shërbejnë si një burim i qëndrueshëm rehatie, duke ofruar një prani jo-gjykuese që mund të lehtësojë ndjenjat e izolimit. Të rriturit e moshuar që mund të jetojnë vetëm përfitojnë nga shërbimi që I ofrojnë një kafshe shtëpiake- sepse I mban aktivë dhe të angazhaur.
Aplikimet terapeutike përmes kafshëve, kanë fituar popullaritet për efektivitetin e tij në trajtimin e kushteve të ndryshme të shëndetit mendor, duke përfshirë çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), çrregullimin e panikut dhe depresionin. Kafshët e përdorura në terapi, si qentë, kuajt, madje edhe delfinët, mund t’i ndihmojnë pacientët të zhvillojnë strategji përballuese, të përmirësojnë aftësitë sociale dhe të përmirësojnë rregullimin emocional.
Macet kanë durim të madh me kufizimet e mendjes njerëzore
Lidhja njeri-kafshë është një marrëdhënie e fuqishme dhe komplekse që ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin mendor. Nga ulja e stresit dhe ofrimi i mbështetjes emocionale deri tek rritja e ndërveprimeve sociale dhe shërbimi si një mjet terapeutik, kafshët luajnë një rol vendimtar në mirëqenien e miqve të tyre njerëzorë. Megjithatë, është thelbësore t’i qasemi kësaj lidhjeje me një kuptim të përgjegjësive që sjell dhe sfidave të mundshme që mund të lindin. Ndërgjegjësimi qytetar për mbrojtjen e të drejtave të këtyre qënieve kaq të pambrojtura tashmë ka nisur përmes reagimeve publike në mediat televizive e sociale, e një protestë për tu duartrokitur do zhvillohet të shtunën: “Të ndëshkohen rastet abuzive të keqtrajtimit të kafshëve” Kafshët nuk mund të mbrojnë veten, nuk mund të flasin. Ne jemi zëri i tyre. Të ndëshkosh keqtrajtimin do të thotë të mbrosh ata që nuk kanë mundësi të vetëmbrohen.
Kur shoqëria reagon fort ndaj keqtrajtimit të kafshëve, ajo dërgon një mesazh të qartë: MIZORIA NUK TOLEROHET, duke garantuar edukimin e brezave të rinj me vlera më njerëzore…sepse jemi njerëz…apo nuk jemi më të tillë?