Finalja e Kupës së Mbretit në “La Cartuja” në Sevilje (sonte 22:00) do të vërë në provë treshen e parë të Barçës dhe atë të Real Madridit.
Për Barcelonën, me Lewandovskin jashtë për shkak të një dëmtimi muskulor, Raphinha, Lamine Yamal dhe Ferran Torres do të përbëjnë vijën e parë të sulmit. Do ta bëjnë këtë me shifra shumë të mira këtë sezon kur kanë përkuar në fushën e lojës.
Në nëntë ndeshjet që kanë filluar së bashku, ata kanë fituar tetë dhe kanë barazuar vetëm një, duke shënuar 12 gola mes të treve. Prej tyre, gjashtë u shënuan nga sulmuesi valencian, katër nga anësori brazilian dhe dy nga ylli 17-vjeçar. Nga ana e saj, treshja e Real Madridit, e formuar nga Vinicius, Rodrygo dhe Mbappe ka përkuar në 24 ndeshje së bashku në fushë, me një bilanc prej 16 fitoresh, 2 barazime dhe 6 humbje.
Megjithatë, numri i golave është i lakmueshëm: 33 gola, të ndarë në 14 nga sulmuesi francez, 11 nga anësori i majtë brazilian (Vinicius) dhe 8 nga bashkëkombësi i tij në krahun e djathtë (Rodrigo). Për sa u përket golave të shënuar gjatë gjithë vitit, pa qenë nevoja që trinjakët të përkojnë në fushë, tre sulmuesit e skuadrës së Carlo Ancelottit kanë qenë më efektivë. Në të gjitha garat, Mbappe ka shënuar 32 herë, Vinicius 20 dhe Rodrygo 13, për gjithsej 65 gola. Te Barça janë shumë afër këtyre shifrave, me 61 gola.
Raphinha është lojtari i Barçës në treshen që ka shënuar më shumë gola me 30, i ndjekur nga Ferran Torres me 17 dhe Lamine Yamal me 14. Duke shkuar në finalen e Kupës, një gjë është e qartë. Dy treshe me shifra fantastike përballen mes tyre./ D.C