HOMAZH NDAJ PAPA FRANÇESKUT

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Pastor evangelicus» (bariu sipas ungjillit)

Dom Lorenzo Rossetti

Referues në Akademinë teologjike papnore-Romë

Mënyra më e mirë për të nderuar papa Françeskun që kaloi në amshim më 21 prill 2025 është ta falenderojmë Zotin për atë që ai ka qenë dhe që ka bërë.

Jorge Mario Bergoglio u zgjodh më 13 mars 2013, dhe zgjodhi emrin e Shën Françeskut të Assisi-t, njeriu ungjillor dhe vëllai i të varfëve. Për thjeshtësinë e përulësinë e tij kur e kërkoi bekimin hyjnor dhe lutjet tona për të. Me fjalë të zjarrta e profetike punoi për një reformë të Kishës, Kishës së shenjtë por gjithmonë për t’u reformuar! Për shpirtin e tij misionar (tipik i bijve të Shën Injacit tw Loiolës!), për dëshirën e tij për një Kishë ekstroverte, “në dalje”, jo vetëreferuese as e kënaqur me vetveten, por e aftë të rrezikojë me origjinalitet dhe krijimtari mënyra të reja për të sjellë Ungjillin. Me zellin e tij baritor, u afroi njerëzve opsionin e tij preferencial për ata që kanë më shumë nevojë. I ardhur nga Argjentina, një vend i largët dhe i sprovuar, nga një rajon i botës i mësuar në varfëri, në të shkëlqeu përshpirtëria injaciane e Mishërimit (“ta gjesh Zotin në çdo gjë”) me kërkimin e rrugëve të drejta për reformën e nevojshme të Kishës dhe për të dhënë Lavdinë më të madhe të Zotit. Bashkë me një frymëzim françeskan dhe me gëzimin e thjeshtë të të qenit fëmijët e Hyjit, me lumturinë e vëllazërisë dhe me dashurinë e varfërisë. Varfëria si shenja e zotërimit të të vetmes pasuri të vërtetë. E gjithë kjo me një ngjyrim të veçantë latino-amerikan që shfaqet në karakterin festiv dhe popullor që Françesku dëshironte të shihte edhe në Kishë: shmangia e atyre “fytyrave të kreshmës” që vazhdojnë gjatë gjithë vitit!

Falenderojmë Zotin, për atë “misticizëm të veçantë të të jetuarit së bashku… që mund të shndërrohet në një përvojë të vërtetë vëllazërimi, në një karvan solidariteti, në një pelegrinazh të shenjtë… në mundësi më të mëdha takimi dhe solidariteti mes të gjithëve… Të dalësh nga vetvetja për t’u bashkuar me të tjerët është mirë… Të rrezikosh të ndeshesh me të tjerët, me fytyrën e tjetrit, me dhimbjen e tij, me kërkesat e tij, me gëzimin e tij… Besimi autentik në Birin e Hyjit të mishëruar është i pandashëm nga dhuntia e vetes, nga përkatësia në komunitet, nga shërbimi, nga pajtimi me mishin e të tjerëve” (EG 87). Françesku ishte i bindur se atje ku ka një qenie njerëzore, atje është edhe Jezus Krishti: “Ubi caro humana, ibi caro Christi”.[1]

Zoti na ka krijuar sipas imazhit të Tij, secili prej nesh “unik sipas Atij që është Unik”. Jorge Mario Bergoglio e dinte këtë gjë dhe kishtë këtë cilësi: vëmendja ndaj personit individual, ndaj përvojës së tij më intime dhe më të veçantë; shikimi në sy, prekja e dorës së tjetrit; takimi me realitetin konkret të tjetrit; sakramenti i vëllait. Kjo vetëdije e shtynte të thërriste në telefon, personalisht, çdo lloj njeriu, nga më të mëdhenjtw e tokës deri tek më i përuluri dhe i panjohuri. Dhe kjo është ajo që ai nuk deshi të jetonte në pallatin Papnor por në Domus Sanctae Marthae [2], ku ka ngrënë për ditë së bashku me shumë darkues të tjerë. Vëmendja ndaj individit e shtynte atë të përshëndesë çdo mik, përfaqësues, çdo ambasador në këmbë; pavarësisht dhimbjes së nervit shiatik!

Gurët e themelit të mësimeve të Françeskut dhe aq më tepër të shërbesës së tij baritore ishin Jezusi dhe të varfërit: dy boshtet rreth të cilave ai kishte dashur që të zhvillohej në Dokumentin e Aparesidës kur ishte kryetari i CELAM (Konferencës Ipeshkvore latino-amerikane) në vitin 2007.

Shqetësimin kryesor e kishte për shpalljen e Ungjillit (Lajmit të Mirë) dhe për shenjtërinë e gjithë Kishës, popullit besnik të Zotit. Kështu kuptohet shkrimi i tij inaugurues mbi misionin e Kishës, Evangelii gaudium [3](2013) dhe enciklika e tij e fundit mbi dashurinë e Krishtit (Dilexit nos [4], 2024); kështu vlerësohet kontributi i tij teologjik mbi shenjtërinë, “Gëzohuni dhe galdoni” (Gaudete et exsultate, 2018). Ai na ftoi që të kthehemi te thelbësorja: Kerygma, lajmi i mirë i dashurisë së Zotit dhe na nxiti, në prag të koncilit të II të Vatikanit (veçanërisht kapitullin V të Lumen Gentium) për thirrjen universale në shenjtërinë sipas një jetë ungjillore dhe në përputhje me Lumturitë të Krishtit (krh. Mateu 5). Dhe kjo duke iu shmangur intelektualizmit gnostik si edhe vullnetarizmit pelazhan: d.m.th. njeriu nuk bëhet shenjt nëpërmjet spekulimeve teorike as përmes përpjekjeve dhe sforcimeve morale, por me anë të bashkimit personal me Jezusin dhe me dashurine e tij falas.

Një pikë tjetër ishte kujdesi për të varfrit dhe për ata që kanë më shumë nevojë për mëshirën hyjnore. Dhe kështu doli Viti jubilar i Mëshirës (2015-2016) me shkrimin e bukur Misericordiae vultus në të cilin, ndër të tjera, na kujtoi se “mëshira do të jetë gjithmonë më e madhe se çdo mëkat dhe askush nuk mund t’i vendosë kufi dashurisë së Zotit që fal”. Ai na bëri thirrje të gjithëve që konkretisht t’i rizbulojmë veprat e mëshirës trupore (pra, t’i japësh për të ngrënë të uriturit, të bujtësh ata që nuk kanë strehë, të veshesh ata që janë të zhveshur, të vizitosh të sëmurit dhe të burgosurit, të varrosësh të vdekurit) dhe shpirtërore (të mësosh, të këshillosh, të ngushëllosh, të qortosh, të falesh, të durosh njerëz të vështirë, të lutesh për të gjallë dhe për të ndjerë).

Sa duhet të falënderojmë Zotin për gjestet e panumërta dhe udhëtimet e lodhshme të Françeskut për të takuar të braktisurit, të margjinalizuarit, ata që jetojnë refuzimin e shoqërisë. E mbajmë në mend vizitën e tij në Lampeduza, në Lesbos, në Bangi, në burgjet romake të Regina caeli dhe Rebibbia; udhëtimin e tij në Shqipëri që në vitin 2014, dhe më pas deri në “periferitë” ekstreme të botës: nga Gjeorgjia në Irak, nga Kolumbia në Mongoli. Gjithmonë për të takuar – siç na mësoi Bariu i mirë i Ungjillit – më të braktisurin, ‘delen e humbur’, të fundit. Sigurisht ai dëshironte edhe që me vizitën e tij, qendra e vëmendjes së botës të hidhet mbi ato situata krize.

Lëvdojmë Zotin për këtë dishepull besnik dhe imitues të Krishtit, që na nxiti të përshtatemi ritmin tonë me atë të atyre që ecin më ngadalë dhe që rrezikojnë të mbeten pas. Ai nuk ngurroi ta përshtasë gjuhen e vet me atë të të rinjve, të cilët aq shumë i deshi dhe i favorizoi. Nuk është rastësi që ai ua kushtoi atyre një Sinod (jashtëzakonisht të ndjekur) dhe një nxitje apostolike (Christus vivit, 2019).

Falenderojmë për këtë peshkop që ftoi priftërinjtë të lyejnë të plagosurit e jetës me vajin e mëshirës. Ai na dha shembullin e kërkimit të më “të largëtit”, pa hezituar për t’u takuar dhe për të “përkëdhelur” të gabuarit (po mendoj për disa politikanë dhe gazetarë të njohur italianë…), ndërsa ai qortonte, ndonjëherë ashpër, njerëz të afwrm (anëtarë tw kurisë romake, rregulltarët, lëvizjet katolike…). Edhe kjo është spiritualiteti tipik i krishterë, i cili e bën “njeriun të jetë edhe viril dhe i ashpër ndaj vetes dhe liberal e tolerant ndaj të tjerëve” (Shën Bonaventura).

Lexo edhe :  Njeriu i butë, himni i Papa Françeskut për forcën e butësisë

Prandaj qe edhe kujdesi i tij për të ashtuquajturit “të parregullt”: bashkëshortët e divorcuar, personat me prirje homoseksuale, refugjatë, të zhvendosur, viktima të abuzimit. Kështu shpjegohen gjestet dhe betejat e tij, ndonjëherë të keqkuptuara edhe nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë

Jemi mirënjohës për “parresía”-në e tij (një fjalë biblike që ai e përdorte shpesh dhe që përkthehet si “liri, çiltërsi” apo ndoshta edhe “pafytyrësi”), me të cilen ai denoncoi në mënyre profetike “ekonominë që vret”, luksin e vendeve të pasura dhe të fuqishme, pabarazinë, imoralitetin e tregtisë së armëve, kulturën e fitimit dhe të hedjës (“scarto”). E njejta kulturw konsumiste që çon gjithmonë te ndotja e mjedisit dhe e shpirtit me “globalizimin e indiferencës”, e cila preferon të injorojë vuajtjet e të tjerëve. (Si mund të harrojmë, jo pa buzëqeshje, kur shkoi në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me një Fiat 500?).

Papa Françesku e dinte se bota na është besuar nga Krijuesi, dhe ai e donte Tokën, shtëpinë tonë tw përbashkët, krijimin, pemët, detet dhe gjithë natyrën dhe punoi në favor të ekologjisë së vërtetë. Magjisterit papnor i mungonte një enciklikë mbi Krijimin dhe përgjegjësinë e njeriut ndaj tij. Letra e tij drejtuar të gjithë njerëzve vullnetmirë, Laudato sì [5](2015) na mësoi kujdesin për natyrën duke shmangur abuzimet e një mentaliteti konsumist dhe teknokratik (fryti i “antropocentrizmit devijuar” modern dhe perëndimor) që dhunojnë mjedisin në emër të maksimizimit të prodhimit por edhe një ambientalizëm antihumanist që e redukton njerëzimin në një specie të gjallë të thjeshtë (dhe të rrezikshme!).

Shpresojmë se ky mësim i Françeskut mbi “ekologjinë njerëzore integrale”, (në vazhden e atij të paraardhësve të tij) të kuptohet dhe mirëpritet gjithnjë e më shumë!

Bekojmë Zotin, për shijen që ky Papë kishte për fetarinë dhe devocionin popullor; për dashurinë e tij birnore dhe të dhembshur ndaj Virgjëreshës Mari, të thirrur dhe falënderuar gjithmonë në fillim dhe në fund të udhëtimeve të tij apostolike (dhe pranë të Cilës ai deshi të varrosej); për përkushtimin e tij ndaj Shën Jozefit, model i autoritetin pa autoritarizëm, të cilit ia kushtoi vitin 2021.

Qoftë bekuar liria dhe sinqeriteti kur flsite për gruan dhe dashurinë amtare. Sa kanë nevojë e gjithë Kisha dhe Bota për këtë njohje të “dinjitetit të gruas” sipas gjurmëve të Shën Gjon Palit II. E falënderojmë për ato gra që ai thirri në rolet e përgjegjësisë në Vatikan! Faleminderit edhe sepse në vitin 2016 ai ka lartësuar kujtimin liturgjik të Shën Maria Magdalenës (22 korrik) si “festë” duke vlerësuar kështu dëshmitarën e parë të Ngjalljës, “apostullën e apostujve”!

Faleminderit për dashurinë që Françesku kishte për shërbesën e Fjalës hyjnore, për predikimet e tij të përditshme që ai bënte duke mos lexuar, me fjalë spontane, me freskinë dhe menjëhershmërinë e oralitetit; për komentimin e tij ndaj Himnit të Dashurisë të Shën Palit në Amoris Laetitia (2016) dhe më pas për të na shtjelluar secilen prej Lumturive të Jezusit në Gaudete et exsultate!

Faleminderit për dashurinë e tij realiste për familjen, çiftet, fëmijët, gjyshërit, marrëdhëniet ndërpersonale; për vërtetësinë e fjalimeve të tij; për tre fjalët kyçe që na kujtonte vazhdimisht të cilat e ndriçojnë çdo jetë komunitare: “A mundem! – Më fal, – Faleminderit!” dhe për të na kujtuar, me Shën Françeskun e Sales-it, që “edukata e mirë është tashmë gjysma e shenjtërisë”!

Lavdërimi dhe nderimi ndaj Zotit, Atit tonë, që dëshiron të jemi të gjithë fëmijët e Tij pa asnjë preferencë, për theksin e Papës mbi pagëzimin. (Sa herët na ka kërkuar që ta kujtojmë daten e rilindjes sonë në Kishë!).

Françesku ishtë një klerik por jo “klerikal”; ai kishte një shpirt të lirë dhe “laik” (fjalë që rrjedh nga greqishtja “laos” që do të thotë “popull”!) dhe për rrjedhojë ai luftoi kundër klerikalizmit dhe legalizmit, dy viruse që fshihen gjithmonë brenda disa ambientëve kishtare. Ai kishte neveri ndaj karrieristëve, por edhe ndaj priftave moralistëve që harrojnë se ligji është për njeriun dhe jo e kundërta!

Faleminderit për besimin e tij në Kishë si popull besnik i Zotit dhe për shtytjen e tij drejt bashkëpërgjegjësisë së vërtetë të të gjithë besimtarëve, e cila duhet të shprehet në mënyrë kolegjiale dhe sinodale. Për Sinodin e Ipeshkvijve (ose më mirë për “proçesin sinodal”) të viteve 2021-2024, i cili është bërë një event për të gjithë Kishën: që një rast për të zbuluar se jo vetem klerikët por të gjithë besimtarët janë një popull në rrugëtim që duhet të mësojë stilin e bashkëjetesës dhe të ndarjes. Katolikët nuk do të jenë misionarë pa gëzimin e bashkimit dhe kjo varet nga pjesëmarrja!

Faleminderit për këtë papë vërtet ekumenik, i cili u paraqit menjëherë si “Ipeshkëv i Romës” (një titull shumë më i pranueshëm për ortodoksët dhe protestantët se emërtimet e tjera…) dhe për qëllimin e tij për të reformuar një Kuri, ndoshta jo gjithmonë në përputhje me urgjencat e kohës sonë. Faleminderit për këtë Papë të etur për unitet; për të gjitha gjestet e tij në të cilat ai shtriu dorën te vëllezërit tanë fatkeqësisht ende të ndarë. Për vizita në komunitetet luterane (në Suedi në vitin 2017!), valdeziane, anglikane; por mbi të gjitha për përpjekjet e tij të mëdha dhe të prekshme për të rivendosur bashkimin e plotë me të krishterët ortodoksë. Sa gëzim për takimet e panumerta me vëllain e vet, Patrikun e Kostandinopojës Bartolomeun, por edhe për takimin e tij historik me Patrikun rus Kirill në Kubë në shkurt 2016, dhe më pas në Lesbos, në Nikosi dhe në Athinë me Khrisostomos dhe Hieronimos. Kush e di se çfarë hiresh pajtimi na përgatit e ardhmja!…

Falenderojmë gjithashtu, Atin qiellor që na do të gjithë vëllezër, për vizionin e tij (“ëndërr” e tij) për një njerëzim vëllazëror që e çoi atë drejt gjesteve të guximshme dhe dokumenteve vërtet origjinalë, si nënshkrimi i përbashkët i Deklaratës mbi “Vëllazërinë njerëzore dhe të jetuarit së bashku” në Abu Dhabi në vitin 2019 dhe më pas në enciklikën Fratelli tutti [6] (2020). Në të, në mes të krizës pandemike, në gjurmët e shenjtorit të Asizit dhe të Shën Charles de Foucauld (Sharl de Fuko), vëllai universal, Papa na kujtoi atë që Shën Pali i pati mësuar Filemonit: ne jemi vëllezër, si nëpërmjet krijimit që na bashkon të gjithëve në të njëjtin njerëzim, por ashtu edhe nëpërmjet besimit të pagëzimit që na bashkon në Zotin (Letra Filemonit, 16).

Zoti e pranoftë në Parriz dhe na dhëntë të jemi trashgimtarë të denjë të mësimit dhe të shembullit të tij.

[1] Aty ku është mishi i njeriut, aty është mishi i Krishtit.

 

[2] shtëpinë e shën Martës

[3] gëzimi i ungjillit

[4] Ai na donte

[5] po, i lavdëruar

[6] të gjithë vëllezër

Të fundit

Dash Shehi sulmon Ramën: Po ndan njerëzit, disa jetojnë në luks dhe disa në mjerim

Drejtuesi i koalicionit Djathtas për Zhvillim, deputeti Dashamir Shehi, ka sulmuar ditën e sotme kryeministrin, teksa tha se Edi...

E frikshme? Chat GPT mund ta gjejë vendndodhjen tuaj vetëm me një fotografi

Pasi kaloi faza kur njerëzit përdornin masivisht ChatGPT për të krijuar figura aksioni nga fotot e tyre, argëtimi i ri në internet duket se...

“Metadon” në kundërshtim me protokollin, mjeku dhe infermieri do të dalin para gjyqit

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim mjekun toksikolog Lulzim Banushaj bashkë me infermierin E.M, të cilët akuzohet për veprat...

Varri i Petro Markos i lënë në harresë

"Vdekjes nuk i druhem. I druhem harresës. I druhem që mos më mbetet asnjë kujtim për ata që do të vijnë pas meje". Eshtë një...

Gjyshi akuzohet se ngacmoi mbesën, babai i saj: Arrestimi i padrejtë, ngjarja e stisur

Pasi Policia e Fierit arrestoi të shtunën një 55-vjeçar me dyshimet se kishte ngacmuar seksualisht mbesën e tij 5-vjeçare, ka reaguar babai i vajzës. 31-vjeçari...

Lajme të tjera

Web TV