Donald Trump kritikoi publikisht presidentin rus Vladimir Putin pas një takimi “potencialisht historik” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zhvilluar në Vatikan përpara funeralit të Papës Françesku. Në këtë takim kokë më kokë, që zgjati rreth 15 minuta në Bazilikën e Shën Pjetrit, dy liderët diskutuan mbi mbrojtjen e popullit ukrainas, një armëpushim të plotë dhe paqe të qëndrueshme në rajon.
Pas takimit, Trump postoi në platformën e tij Truth Social, ku u shpreh se “nuk ka arsye që Rusia të godasë zona civile” dhe se veprimet e fundit të Putinit e bëjnë të dyshojë në gatishmërinë e tij për t’i dhënë fund luftës. Trump sugjeroi që Rusia mund të duhet të përballet me masa të reja ekonomike, si sanksione bankare ose dytësore, duke shtuar: “Shumë njerëz po vdesin!”
Takimi ishte i pari mes Trump dhe Zelenskyy-t që nga një përplasje e hapur mes tyre në Zyrën Ovale në shkurt. Pjesë e bisedimeve, për një kohë të shkurtër, ishin edhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Presidenca franceze e përshkroi takimin si “pozitiv”.
Megjithëse ishte planifikuar që Trump dhe Zelenskyy të vazhdonin diskutimet më vonë gjatë ditës, një takim i dytë nuk ndodhi për shkak të orareve të ngjeshura. Trump u nis menjëherë për në Uashington me avionin presidencial Air Force One, ndërsa Zelenskyy zhvilloi bisedime të ndara me Macron dhe Starmer.
Presidenti Macron deklaroi se “Ukraina është gati për një armëpushim të pakushtëzuar” dhe theksoi se një “koalicion i vullnetarëve”, i udhëhequr nga Britania dhe Franca, do të vazhdojë përpjekjet për një paqe të qëndrueshme.
Gjatë ceremonisë në Vatikan, liderë të shumtë botërorë i treguan respekt Zelenskyy-t, i cili u duartrokit nga të pranishmit pasi ndaloi për të nderuar arkivolin e Papës./e.t