Një 58-vjeçar është gjetur i pajetë në afërsi të banesës së tij në Vlorë. Sipas Policisë 58-vjeçari Renato Hoxhaj dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Viktima ishte i punësuar prej 5 vitesh si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij.
Ai u gjet te shkallët ku ngjiten dhe zbresin efektivët e policisë pranë shtëpisë së tij dhe në një pallat në ndërtim. Në hyrje të kantierit të ndërtimit ka kamera sigurie.
Viktima ishte babai i dy fëmijëve të rritur dhe jetonte në banesë i vetëm. Nuk dihen ende rrethanat e vrasjes, por policia konfirmon se viktima nuk ka precedent penal. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar drejtuesi i policisë Vlorë, Elidon Çela, përfaqësues nga OPGJ, si dhe hetuesit e krimit.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi R. H., 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve./E.T