Kandidati për Deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës Gjin Gjoni përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar ashpër në lidhje me një pretendim të tij se një grua në Lezhë u vendos në pranga pasi sipas tij blinte vota për PS-në.
Në lidhje me këtë situatë Gjoni kërkonte transparencë nga policia për këtë operacion të kryer.
“Jam informuar nga qytetarët se nga Policia e Shtetit është ndaluar nje shtetase në Balldre të Lezhës pasi dyshohet është kapur në flagrancë duke blerë vota për llogari të Partisë Socialiste. Qytetarja me iniciale M.D punonjëse në një lokal në Balldre është denoncuar dhe është ndaluar në flagrancë, por Policia e Lezhës nuk jep informacion zyrtar për ngjarjen për shkak të presionit me kodin e Manualit 184 më të cilin po përballet.
Kërkojmë urgjentisht transparencë për këtë operacion policor pasi e kemi të qartë se patronazhistët kanë dalë në terren në tentativën e tyre për të blerë vota me urdhër të eprorëve të tyre politikë që mesa duket kanë ardhur me synimin për të poshtëruar Lezhën dhe qytetarët e saj. Dëshpërimi për humbjen e pashmangshme në 11 Maj ka bërë që shefat politikë të kërkojnë kurbanë elektoralë edhe në Lezhë.
Ne jemi duke dokumentuar dosjen e plotë me kriminelet zgjedhorë dhe do ndjekim edhe rrugën ligjore. Qytetarët e Lezhës të mos intimidohen dhe ti denoncojnë me emra blerësit e votës që duan tu nëpërkëmbin dinjitetin. Ne do ti marrim në mbrojtje edhe personalisht edhe ligjërisht. I bëjmë thirrje SPAK të mos qëndrojë me indiferentë pasi Lezhën nuk do ta lëmë në mëshirë të kriminelëve zgjedhorë”, shkroi Gjoni në llogarinë e tij në Facebook.
Pas kësaj situate Policia e Lezhës ka reaguar duke shpjeguar se pretendimi i deputetit të PD është i pavërtetë. Më tej blutë bëjnë me dije se ka qenë një konflikt mes pronares dhe qiramarrëses së lokalit për përdorimin e pajisjeve.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, ku kandidati për deputet i subjektit politik Partia Demokratike pretendon se nga Policia e Shtetit është ndaluar një shtetase në Balldre të Lezhës pasi dyshohet se është kapur në flagrancë duke blerë vota për llogari të Partisë Socialiste, sqarojmë opinionin publik se pretendimi i ngritur është i pavërtetë.
Po në interes të informimit publik, bëjmë me dije se më datë 26.04.2025, rreth orës 16:00, në sallën e Komandimit të DVP Lezhë ka ardhur një telefonatë për një konflikt të ndodhur në një lokal në Balldre, për verifikimin e të cilës shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë.
Nga grupi hetimor dhe shërbimet policore janë kryer të gjitha veprimet procedurale, ku nga tërësia e tyre, si këqyrje lokali, dëshmi palëve të përfshira dhe dëshmitarëve, si dhe veprimeve të tjera hetimore të domosdoshme për rastin, ka rezultuar se:
Lokali ku ka ndodhur konflikti është në pronësi të shtetases M. D., 62 vjeçe, banuese në Balldre, dhe prej disa kohësh ia kishte dhënë me qera shtetases D. N., 36 vjeçe, banuese në Balldre.
Të përfshirë në konflikt fizikisht ditën e sotme janë vetë marrësja me qera e lokalit shtetasja D. N., me shtetasen N. N., 32 vjeçe (vajza e shtetases M. D., pronares së lokalit), dhe arsyeja e konfliktit është për motive të dobëta, në lidhje me përdorimin e pajisjeve të lokalit.
Shtetasja D. N. është dërguar në spital, dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është risjellë në ambientet e policisë për vazhdimin e procedurave.
Gjithashtu, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes (dëshmitarë) janë shoqëruar shtetasja M. D. edhe dy shtetas të tjerë banues në Balldre, të cilët kanë qenë të pranishëm në lokal kur ka ndodhur konflikti.
Pas komunikimit me Prokurorin e gatshëm, do të referohen materialet hetimore në Prokurori për veprën penale “Dëmtime tjera me dashje” në ngarkim të shtetases N. N./E.T