“Kushedi sa gra janë në botë që kanë nevojë të humbin pafajësinë, për të ruajtur urtësinë”-kështu shkruante poeti Lirik i Greqisë së lashtë, Arkiloku.
E vendosur në SHBA-ës, aty nga fundi i shekullit të 20-ë, shkrimtarja shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, ka shkruar mjaft libra; në gjininë e romanit, poezisë, përkthimit, gazetarisë dhe publicistikës.
Kam në dorë romanin “Pafajësia e Evës”, të cilin ajo e shkroi dhe e botoi për herë të parë në vitin 2009-ë, roman që u vlerësua ndjeshëm nga kritika e kohës, dhe në vitin 2021-ë ajo e rishkroi përsëri romanin për vete dhe për audiencën e admirueshme të lexuesve të krijimtarisë së saj.
Teksa e lexoja këtë vepër letrare, vura re se romani shquhej për stilin ideo-artistik dhe përmbajtjen thellësisht historiko-shoqërore. Autorja Moisiu dialogon me vetveten dhe me forcën e shpirtit njerëzor shpreh atë peshën e pafajsisë që e ka munduar tërë jetën, ajo rrëfen lirshëm për njerëzit e vërtetë dhe stinët e largëta të jetës, i afron ato sikundër afrohet edhe mosha, derisa i njehson në thelbin e tyre me kujtimet e mendimet e mefshta dhe përvojat jetësore, ndërmjet lindjes dhe agonisë, të cilat i ka pasqyruar në këtë vepër origjinale. Në roman, ngjarjet enden me fill historik, që sillet dhe përsillet në sfondin e gjerë jetësor dhe problemeve të mprehta shoqërore në segmente të ndryshme kohore nga diktatura komuniste që bazohej në diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave dhe më tej në tranzicionin më të gjatë.
Autorja Moisiu guxon dhe pasqyron sistemin në fuqi dhe shoqërinë shqiptare në atë botën surreale të Shqipërisë komuniste të viteve ’70-ë, e cila bazohej në një shoqëri dhe rregjim që synonte plotësisht të ruante stabilitetin e saj të gurtë, dhe e faktorizonte atë si antiteza e Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, qysh prej vendosjes së rregjimit komunist pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Leximi i romanit më shëmbëllen me një rrugë gjithë të papritura që kapërthejnë ngjarje nga më të cuditëshmet dhe episode nga më dramatiket që ka kaluar Shqipëria. Me gjenialitetin dhe vitalitetin e shkaqeve të vërteta, të cilat paraqiten në roman, autorja Moisiu, ato ngjarjet më kulmore ka marrë përsipër t’i përshkruajë nëpërmjet fatit dhe jetës së heroinës kryesore të romanit, që është Eva Suvaria, përmes fatit të babait të saj, Komandant Lirim Suvarisë, një ish-partizan i plagosur në kokë dhe i verbuar në luftën nacional-clirimtare, dhe përmes fatit të personazheve të tjerë, të cilët nga brezi në brez krijuan karaktere tipike në rrethana tipike historike dhe shoqërore, dhe përmes portretizimit të gjendjes shpirtërore të tyre dhe të ngjarjeve reale, me detaje të sakta, konkrete dhe ndonjëherë edhe alarmante.
Autorja ka ditur të hyjë thellë në sjelljet dhe qëndrimin e personazheve dhe zhvillimin e ngjarjeve, ajo di të ëndërrojë, të qajë për të kaluarën dhe të shpresojë ndoshta edhe në të ardhmen e saj të palumtur, sepse kjo është jeta! Madje ajo di të gjykojë, të akuzojë, dhe në momente të vecanta, ajo di të mbajë qëndrim kritik, apo edhe të falë që të vazhdojë të jetojë midis identitetit dhe botës së re që e rrethon.
Romani gati autobiografik ka një arkitekturë të shumë trajtëshme, ka një sërë karakteresh që gëlojnë nëpër faqet e tij, që i japin jetë dhe frymëmarrje, romanit. Me mjeshtëri ideo-artistike dhe filozofike, autorja Moisiu synon të pasqyrojë shkaqet e vërteta të gjendjes njerëzore dhe asaj sociale, dhe peshën e fajit e të pafajshmes, Eva Suvaria, -e cila është edhe strumbullari i ngjarjeve në tërë dramacitetin e romanit. Heroina e romanit përbledh në vetvete tërë tiparet e një vajze të bukur dhe të ciltër, me ata sytë e butë dhe përkëdhelës, vajza që vinte nga qyteti i Enkelanës; «…si princesha Harmonia e Enkelejve në pikturë!-shkruan autorja. Pavarësisht kohës se kur shtjellohen ngjarjet, autorja Moisiu e ka nisur rrëfimin aty nga mesi i jetës të Eva Suvarisë, e cila ishte rikthyer në vendlindje si turiste kësaj here, prej ku ishte larguar dhe kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky truk i shkrimtares Moisiu ka jo vetëm një logjikë historike, porse inteligjenca ambicioze dhe shqetësimi i brendëshëm i saj (autores), e shtyrë nga motivet dhe emocionet, e kapërxejnë shqetësimin individual të saj në një shqetësim kolektiv, gjë që e bën lehtësisht dhe të thjeshtë, sikur po i rrëfen dikujt rishtas historinë e përgjumur të jetës së saj, strukur diku në cep të kujtesës. Kompozicioni i romanit paraqitet me prologun, dymbëdhjetë kapituj dhe epilogun, që zgjeron vështrimin e saj ideo-artistik me imazhet e gjalla sikundër e kërkon e vërteta dhe autorja ka aftësinë të dizenjojë se si të mësohemi të përballojmë dhimbjet e të jetojmë dashurinë. Ky është cmimi i pafajsisë, dhimbjes dhe dashurisë!
Romani i kushtohet rrugëtimit të fatit, historisë së dashurisë, divorcit të dhimbshëm dhe ndarjes të detyruar të Eva Suvarisë dhe Bardhyl Priskës. Nëpërmjet fatit të tyre autorja na zbulon përvojën e qindra cifteve dhe familjeve shqiptare që u divorcuan dhe u ndanë me detyrim dhe forcë, duke paguar edhe koston mizore të internimit të familjeve, të pushkatimit të prindërve apo të vetë atyre, bashkëshortëve dhe të shpalljes së tyre “armiq dhe tradhëtarë të kombit”. Arritja më e madhe e autores është ndërrthurrja e realitetit mizor historik dhe temës së spikatur të dashurisë. Kjo e fundit që bashkon njerëzit pavarësisht kalvarit të dhimbjeve, vuajtjeve, humbjeve njerëzore dhe sakrificave, porse kërkon, durim, ndjeshmëri dhe mirëkuptim.
Autorja Moisiu zhbiron brenda individualitetit të pafajsisë së Evës, duke ndjekur një rrugë koncize, dhe është aq e aftë në të menduar dhe analitike, sa ajo e paraqet rrëfenjën thellësisht emocionale, dhe e nxjerr atë vazhdimisht zbuluar nga pritshmëritë e ngurta dhe perspektivat e ngushta të luftës së klasave. Për më tepër, edhe protagonistët e sistemit totalitar prezantohen në mënyrën më të natyrëshme dhe transparente. E nisur nga pikësynimi ideor, autorja guxon dhe zbulon njerëzit e pushtetit komunist; që nga hetuesit, agjentët e policisë, pseudo-intelektualët dhe zhytjen e tyre në krime, vrasje, pushkatime, vese, hipokrizi, degjenerim dhe poshtërsi, deri në eleminimin e njëri-tjetrit, si ligji kryesor i sistemit në fuqi, duke na paraqitur kështu edhe kalbëzimin e rregjimit totalitar komunist. Portretin dhe jetën e Lirim Suvarisë, autorja e ka paraqitur me admirim, ndjeshmëri, respekt dhe mirëkuptim, me tonet e përthinjura dhe sytë cehrezbehta (të verbuar në luftë) e një komandanti trim të plagosur, që u qëndron viteve me shkëlqimin e një shpirti luftarak, por që cmon idealin dhe lirinë për të cilat luftoi dhe besoi.
Dashuria paralele e Evës me Lulin dhe me Remin dhe fatet tragjike të tyre janë një gjetje moderne e autores. Ky paralelizëm e mban lexuesin në tension dhe ngjarjet përputhen me dramat që ka kaluar Shqipëria, duke e bërë audiencën të reflektojë për ngritjen dhe të mendojë për urat midis së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Duke ndjekur linjat e romanit vëren se autorja Moisiu e konsideron poezinë dhe muzikën “gjuhën e ndjenjave”, që është njëkohësisht edhe gjuha komunikuese midis njerëzve; “ Eva pati dëgjuar se poetit i kishte vdekur gruaja disa vite të shkuara, dhe flitej se po përjetonte dashurinë e re me atë gruan që po shëtiste. Poeti kishte zgjedhur të ngushëllonte veten dhe ndante dhimbjen me gruan e re, dhe mbase kjo dashuri ishte shërim i vragës që kishte lënë pas humbjes së bashkëshortes, nënës së vajzave të tij. Dashuria e re e bënte poetin të ndjehej i ri në moshën e fisnikërisë, ripërtëritje dhe muzë për poetin, që thurrte vargje lirike aq të bukura për dashurinë”. Mbase kjo është edhe arësyeja që jehonën e vargjeve të Lasgush Poradecit do e prekim në thelbin e tyre të përbashkët edhe te ky roman, që janë vargjet lirike, të cilat zënë një vend të vecantë në krijimtarinë e autores edhe si poete. Interesante janë “fërshëllimat” dhe pjesët muzikore si “simfonitë baritore” që i flasin zemrës më fort se arësyes në momente të caktuara në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës.
Shumë interesante në roman është dhënë edhe një nga sfidat që i është bërë diktaturës komuniste; Arratisja e 16 anëtarve të familjes Fezollari nëpërmjet liqenit të Pogradecit (Ohrit). Po ashtu edhe historinë mizore, prekëse, dhe tragjike të ciftit që u vra dhe u masakrua në kufi, në tentativë për t’u arratisur, autorja e ka rrëfyer me qasje profesionale, ideo-artistike dhe filozofike dhe zbulon një pasqyrë të jashtëzakonshme të kodit ndëshkues të diktaturës komuniste. Ndonëse ky roman ka qenë prova e parë e autores në gjininë e prozës, gjithësesi ai përbën një provë të suksesëshme, që mbi të gjitha reflekton një imagjinatë të zhvilluar të autores, dhe prirjen për një prozë të mbushur me ide, mendime dhe krijimtari artistike që padyshim më pas autorja solli prurje të suksesëshme dhe të rëndësishme në letërsinë shqipe dhe publicistikën shqiptare. Autorja Raimonda Moisiu ka meritën të jetë ndër të parat autore femra, që me kurajo, guxim dhe vendosmëri ka krijuar një mjedis thellësisht emocional dhe ka paraqitur një kronikë të gjerë historiko-shoqërore midis dy epokave; të një epoke që autorja përpiqet të na i japë në të gjitha aspektet, përvojat jetësore dhe në të gjithë kompleksitetin e saj, dhe ndërkohë të epokës së erës së re që po frynte, -atë të demokracisë.
Romani gati autobiografik, paraqet ngjarje dhe kronika historike e shoqërore të rëndësishme që të zgjojnë njëherësh ndjesitë, të cilat hedhin dritë mbi fajin e të pafajshmes, Eva, heroinës kryesore të romanit, dhe personazheve të tjerë që e rrethojnë atë, si një sfond njerëzor i domosdoshëm për të vërtetuar peshën e asaj pafajësie që ajo mbart në funksion të viteve dhe përvojave jetësore, të cilat u bënë për të (autoren), burim frymëzimi, muzë, dhe mjaft materiale krijuese për t’i hedhur në letër. Ndërsa anën ideo- artistike të romanit autorja e shoqëron me një rikthim dhe hulumtim të kujdesshëm njerëzor dhe historik, njëherazi, i thellë dhe bindës, që përcjell dhimbjen dhe dashurinë e vazhdueshme në sytë e lodhur të lexuesit. Duke e jetuar jetën në tërë shtrirjen e saj, autorja manovron si një “dizajnere grafike, në përdorimin i fjalëve dhe frazave shpërthyese”, duke u përpjekur kështu të ruajë harmoninë e tyre.
Me një intensitet të përsosur dhe me forcën e një shpirti unik njerëzor, shkrimtarja Raimonda Moisiu ka shkruar një libër shprehës dhe domethënës, ajo ka shkruar manifestin e dashurisë dhe divorcit të dhimbshëm, ku mbizotëron befasia e një harmonie të ëmbël në fund të romanit që është sa prekëse aq edhe emocionuese; Takimi mbas disa vite ndarje, i Eva Suvarisë dhe Bardhyl Priskës!
Te cdo fajtor ekziston sadopak një element i pafajësisë, -dhe për stilin dhe aftësinë e saj për të pasqyruar me vërtetësi ato ngjarje të qenësishme dhe përvojat jetësore të jetës së saj, ky roman do t’u rrëmbejë zemrën dhe hapë sytë për ta lexuar me respekt dhe admirim.
Shkrimtarja, Poetja, dhe Publicisjta shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, aktualisht jeton në Florida të SHBA-ës, dhe vazhdon të shkruajë prozë, poezi, përkthim, dhe publicistikë bashkëkohore për lexuesit dhe admiruesit e krijimtarisë së saj. Nën rrezet e diellit Floridian, autorja Raimonda Moisiu po përkthen në gjuhën angleze romanin autobiografik “Pafajësia e Evës”, që tashmë ka marrë udhën e botimit.
Elsa XHAI
Gazetare/Lektore
Tiranë, Gusht, 2022