Numri i viktimave nga shpërthimi në portin e Shahid Rajaee, jashtë Bandar Abbas në Iran është rritur në 40, ndërsa më shumë se 1 mijë të tjerë janë plagosur, raporton Corriere della Sera. Dy ditë pas shpërthimit, autoritetet iraniane ende nuk kanë dhënë një shpjegim të qartë për shkakun e tragjedisë.
Sipas mediave shtetërore, shpërthimi ka filluar nga një kontejner. Administrata doganore ka sugjeruar se shpërthimi ka ardhur si rezultat i një “stoku mallrash të rrezikshme dhe materialeve kimike të magazinuara në zonën portuale”. Raportimet e mediave ndërkombëtare kanë shtuar dyshimet, duke lidhur shpërthimin me mundësinë e përfshirjes së perkloratit të natriumit, një substancë e përdorur në prodhimin e karburantit për raketa balistike.
Përfaqësues të qeverisë iraniane kanë hedhur poshtë këto akuza, duke sulmuar mediat ndërkombëtare për përhapjen e “informacioneve të pasakta” dhe duke theksuar se shkaku i shpërthimit do të publikohet vetëm pas hetimeve të plota. Autoritetet kanë kërcënuar gjithashtu me ndjekje ligjore ata që përhapin lajme të rreme.
Zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes, Reza Talaeinik, tha për Iran News se “nuk ka pasur dhe nuk ka ngarkesa të importuara apo eksportuara për përdorim ushtarak në port. Mediet e huaja janë në linjë me operacionet psikologjike të armikut. Shkaqet e shpërthimit do të bëhen të ditura pas hetimeve nga agjencitë përkatëse”.
Masoud Pezeshkian, presidenti “reformist” i Iranit, ka mbikëqyrur operacionet e shpëtimit dhe ka vizituar të mbijetuarit, duke shprehur solidaritetin e tij me familjet e prekur nga tragjedia. Kur u pyet nga gazetarët për arsyen e mbajtjes së 140,000 kontejnerëve në port për muaj të tërë, Pezeshkian tha se duhet të shmangim mbajtjen e një numri kaq të madh kontejnerësh të palëvizur dhe se do të bëhen studime krahasuese me vendet e tjera të zhvilluara për të parandaluar incidente të ngjashme.
Edhe Narges Mohammadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, ka komentuar situatën, duke akuzuar regjimin iranian për papërgjegjshmëri dhe përqendrimin vetëm në mbijetesën e tij, duke injoruar jetët e qytetarëve të tij. Pas shpërthimit, dy avionë nga Moska mbërritën për të ndihmuar me operacionet e shpëtimit, ndërsa Irani shpalli të hënën ditë zie kombëtare./e.t