Partia Liberale e udhëhequr nga Mark Carney ka dalë fituese në zgjedhjet federale në Kanada. Në fjalimin e tij të parë pas fitores, Carney dha një mesazh të fuqishëm uniteti dhe angazhimi për vendin, ndërsa iu drejtua qytetarëve me pyetjen: “Kam një pyetje, kush është gati të mbrojë Kanadanë me mua?” — një deklaratë që vjen në një moment tensionesh të shtuara me Shtetet e Bashkuara lidhur me tarifat dhe çështje të tjera ekonomike.
Ai vijoi me një thirrje për ndërtimin e një vendi më të fortë: “Dhe kush është gati ta ndërtojë Kanadanë të fortë?” — fjalë që u pritën me brohoritje nga mbështetësit e pranishëm.
Gjatë fjalimit, Carney shprehu mirënjohjen e tij ndaj familjes, duke theksuar rolin e gruas dhe fëmijëve në jetën e tij: “Më frymëzojnë të shërbej çdo ditë.” Ai falënderoi gjithashtu kandidatët e zgjedhur, të cilët do të jenë pjesë e qeverisë së re.
Lideri i sapozgjedhur shpjegoi se vendimi për t’u përfshirë në politikë lindi nga bindja se Kanadaja kishte nevojë për “ndryshime të mëdha”, të udhëhequra nga vlerat thelbësore kanadeze — vlera që, sipas tij, i ka mësuar që në fëmijëri, në tryezën e darkës me familjen, në fushat e akullit gjatë ndeshjeve të hokejit, dhe gjatë takimeve me qytetarë në të gjithë vendin.
Ai përmendi tri vlera themelore që do të udhëheqin mandatin e tij: përulësia, ambicia dhe uniteti./e.t