Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të mblidhet sot në orën 10:00 për të vazhduar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë. Në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit – një proces që deri më tani ka rezultuar i pasuksesshëm.
Edhe të dielën, nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, Kuvendi u mblodh për të vijuar me seancën konstituive. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi për herë të dytë deputeten Albulena Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit.
Megjithatë, pas përfundimit të votimit, kryesuesi Dehari njoftoi se Haxhiu nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave, duke marrë vetëm 57 vota për, 41 kundër dhe tri abstenime. Si rrjedhojë, seanca u ndërpre.
Përplasjet politike nuk munguan, me dy blloqet kryesore që akuzuan njëra-tjetrën për dështimin e procesit dhe pengimin e konstituimit të Kuvendit./e.t