“Mbështetja për të rinjtë dhe programin e teknologjisë, nuk do të mungojë”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me të rinjtë në Tiranë, zhvilluar në ambientet e Piramiës.
Rama theksoi se tashmë ka ndryshuar edhe qasja ndaj kompanive, lidhur me pagat.
“Forca e lirë e punës nuk është më një avantazh konkurrues, në mënyrën se si e shohin veten kompanitë. Ky është një zhvillim inkurajues”, nënvizoi Rama.
Gjithashtu tha se pagat që krijohen përmes punësimit në këtë sektor, siç tha ai janë shumë të përafërta me vende të tjera të botës dhe të Europës.
“Jam i bindur që ka më shumë se sa gishtërinjtë e duarve, kompani në Shqipëri ku hyn dhe “je si jashtë shtetit”. Dhe kjo flet qartë se sa shumë këto kompani janë projektuar në të ardhmen dhe na ndihmojnë të gjithëve ne për të kuptuar, që e ardhmja europiane e jona është këtu. Mjafton të dimë si ta kërkojmë…Vajzat dhe djemtë e rinj të mos ngurrojnë të përfshihen në programet e kodimit. Procesi ka qenë i hapur transparent. Sot me kohën që po shpenzoni me ne po ndihmoni edhe bashkëmoshatarë apo vajza e djem dhe pak më të rinj se ju të shohin që kjo është një rrugë e hapur dhe kanë mundësi të bëhen pjesë. Dhe pasi mbaron kurse të tilla je dikush tjetër nga pikëpamja e kapaciteteve të tua dhe asaj që mund të ofrosh tregut të punës. Sot mund të jesh një anonim që sapo ke mbaruar një kurs, por mund të jetë mbresëlënëse për gjithë botën”, tha më tej Rama./E.T