Një imazh i ri i Diellit i marrë nga teleskopi diellor më i madh në botë tregon sipërfaqen e yllit tonë më të afërt me detaje të mahnitshme. Është imazhi i parë i marrë nga instrumenti i ri VTF (Visible Tunable Filter) në Teleskopin Diellor Daniel K. Inouye të Fondacionit Kombëtar të Shkencës të SHBA-së. Instrumenti mund të krijojë një imazh tre-dimensional më të afërt se kurrë të asaj që po ndodh në sipërfaqen e Diellit.
Kjo pamje nga afër zbulon një grumbull njollash të errëta diellore me madhësinë e një kontinenti pranë qendrës së atmosferës së brendshme të Diellit, në një shkallë prej 10 kilometrash për piksel. Këto njolla shënojnë zona me aktivitet të fortë magnetik, ku ka të ngjarë të ndodhin shpërthime diellore dhe nxjerrje masive koronale (CME, këto janë re të mëdha plazme dhe fushash magnetike që shpërthejnë nga atmosfera e jashtme e Diellit).
Imazhe të detajuara si ky janë një mjet i rëndësishëm për shkencëtarët për të studiuar dhe parashikuar motin diellor potencialisht të rrezikshëm, tha për CNN Friedrich Woeger, shkencëtar i programit për instrumentin NSF Inouye Solar Telescope.
“Këto shpërthime nga Dielli mund të bashkëveprojnë me fushën elektromagnetike të planetit tonë, duke shkaktuar ndërprerje në infrastrukturën thelbësore, siç janë rrjetet elektrike dhe rrjetet e komunikimit satelitor”, shpjegoi ai.
Dielli kalon nëpër periudha me aktivitet të lartë dhe të ulët magnetik brenda një cikli 11-vjeçar. Tetorin e kaluar, ajo arriti kulmin e aktivitetit të saj, i cili quhet maksimumi diellor. Gjatë kësaj kohe, polet magnetike të diellit ndryshojnë dhe në sipërfaqen e tij shfaqen më shumë njolla. Maksimumi diellor pritet të zgjasë disa muaj, kështu që është një kohë e mirë që Teleskopi Inouye të përshpejtojë testimin e instrumenteve të tij.
Duke hulumtuar njollat e diellit
Ashtu si supa që zien në zjarr, nxehtësia del nga bërthama e Diellit dhe ngrihet në sipërfaqen e tij përmes lëvizjeve fluide, shpjegoi për CNNi Mark Miesch, një studiues në Universitetin e Kolorados. Njollat diellore janë grumbuj në fushat komplekse magnetike të yllit që parandalojnë nxehtësinë të arrijë sipërfaqen, për këtë arsye, ato lëshojnë më pak dritë se zonat e tjera të Diellit, duken më të errëta në imazhe dhe janë më të ftohta se mjedisi përreth tyre, shtoi ai.
Sipërfaqja e Diellit ka shtresa të ngjashme me ato të një qepe, me dendësi dhe temperatura të ndryshme. Duke u “akorduar” në gjatësi vale dhe ngjyra të ndryshme, si një marrës radioje, instrumenti VTF ofron një mënyrë për të hetuar këto shtresa dhe për të vëzhguar se çfarë po ndodh midis tyre, shpjegoi Miesch.
Studiuesit mund të përdorin imazhe VTF për të studiuar temperaturën, presionin, shpejtësinë dhe strukturën e fushës magnetike në shtresa të ndryshme të atmosferës diellore. VTF ndodhet në Observatorin Kombëtar Diellor në majë të malit vullkanik Haleakalā të Mauit, në një lartësi prej 3,000 metrash, dhe zë disa kate të Teleskopit Diellor Inouye. Pritet të jetë plotësisht funksional në vitin 2026./E.S