Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, ka ‘shigjetuar’ kryeministrin Edi Rama duke thënë se ka zënë frika nga zgjedhjet e parakohshme.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, ai thotë se opozita synon zgjedhje të parakohshme për të ndalur përdorimin e administratës dhe institucioneve shtetërore për qëllime elektorale. Ky reagim i tij erdhi sidomos pas një sulmi nga Rama sot për partitë e reja.
Ai shtoi se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme për të ndërprerë, sipas tij, edhe blerjen e votave me para publike.
“Të ka zënë frika i madh të ka zënë frika, e di se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, do të shkojmë që ti të mos e dhunosh më administratën dhe ti detyrosh për votë, do të shkojmë që të mos kesh më të fortë rreth vetes, me ata që mban rreth e rrotull kërcënojnë qytetarët. Do shkojmë që të mos përdorësh tatimorët për të dhunuar biznesin dhe të mos blesh votë me paratë e vjedhura të shqiptarëve. Çfarë ke ti pse e ke me kaq shqetësim, duhet që të ishe më i qetë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme nëse qytetarët na besojnë ne aq mandate sa ti mos e krijosh dot qeverinë. Edhe 10 ditë”, tha ai. m.p.