Në Klinikën e 3 të Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) është realizuar me sukses një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale për heqjen e një tumori në pankreas, e njohur si procedura Whipple (pankreatoduodenektomia).
Operacioni u krye nga Prof. Arben Gjata dhe ekipi i tij mjekësor, të cilët kanë ndërhyrë për të trajtuar një rast të kancerit të pankreasit, me lokalizim në kokën e këtij organi.
Pacienti, pesë ditë pas operacionit, gëzon shëndet të mirë dhe po ndjek një rikuperim normal nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe infermieror.
Kirurgu Arben Gjata e cilësoi ndërhyrjen si një sukses të rëndësishëm në përballjen me një nga format më agresive të kancerit.
“Është një nga patologjitë më serioze. Kanceri i pankreasit diagnostikohet vonë, shpeshherë kur kirurgjia nuk është më e mundur. Është një organ i vështirë për t’u prekur dhe simptomat zakonisht mungojnë në fazat e hershme”, – u shpreh Prof. Gjata. m.p.