Kryesocialisti Edi Rama po zhvillon këtë të premte takimin elektoral përmbyllës për zgjedhjet e 11 majit me qytetarët e Beratit.
Përpara se të nisesha sot paradite, i thashë Ervinit: “A je i sigurt që mund të bëjmë dy takime të mëdha njëherë në Kuçovë dhe pastaj në Berat, se këtu është shumë i madh sheshi për të mos pasur të tjerë nga bashkitë e tjera?” Ervini më tha: “Kryetar, Berati ka ndryshuar edhe në këtë aspekt Berati, nuk kemi nevojë të marrim të tjerë për të mbushur sheshin.” Në të gjitha takimet, nga Skrapari, në Poliçan, në Dimal, në Kuçovë dhe këtu, me një pjesëmarrje pothuajse 100% nga çdo bashki, kam parë energjinë më pozitive dhe vendosmërinë më të madhe për të marrë në garën tonë të 10-tën, një fitore të 10-të, me notën 10.
Mbase është një mbrëmje shumë e bukur për të kujtuar pak të gjithë ju se kur ne kemi nisur këtë rrugëtim së bashku, me mbështetjen e shumë kujt që këtu është në një moshë pak më të madhe, nuk kishte rrugë për të ardhur në Berat. Të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë e kujtojnë, se vije deri në Lushnje, pastaj futeshe në një shteg plot gropa e pluhur që nuk të çonte drejt zemrës së një Shqipërie turistike siç është Berati, por sikur të çonte drejt një vendi të shkretë e të zymtë. Kur ne morëm detyrën ishin 30 mijë vizitorë, ndërsa vjet Berati shënoi 1 milion. m.p.