India ka njoftuar mbylljen e hapësirës së saj ajrore për të gjithë avionët që lidhen me Pakistanin, përfshirë edhe fluturimet komerciale.
Vendimi, i cili hyn në fuqi që nga mesnata e së mërkurës dhe do të zgjasë deri më 23 maj, është bërë i ditur nga mediat indiane dhe vjen në vazhdën e tensioneve të përshkallëzuara mes dy vendeve pas një sulmi të fundit terrorist në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit.
Sipas autoriteteve indiane, ndalimi do të përfshijë çdo lloj aeroplani të regjistruar në Pakistan, ose të zotëruar, operuar apo me qira nga kompani apo operatorë ajrorë pakistanezë qoftë komercialë apo ushtarakë.
Kjo masë ndëshkuese ndjek një shkëmbim të ashpër akuzash midis dy vendeve, pas incidentit të dhunshëm që ka rritur ndjeshëm tensionet në kufirin mes tyre.
India e ka justifikuar vendimin si një masë sigurie, ndërkohë që situata në Kashmir vazhdon të mbetet e paqëndrueshme. Ky veprim pritet të ndikojë ndjeshëm në linjat ajrore që lidhin Azinë Jugore me pjesë të tjera të botës, duke shkaktuar devijime fluturimesh dhe vonesa./e.t