Shkollat janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar pasi kryeqyteti i Zelandës së Re, Wellington, u godit nga erërat më të forta në më shumë se një dekadë, ndërsa pjesë të ishullit jugor të vendit kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas 24 orësh shiu të dendur.
Shpejtësia mesatare e erës arriti deri në 87 kilometra në orë në Wellington, shpejtësia më e lartë që nga viti 2013, ndërsa erërat në jug të kryeqytetit në bregdetin Baring Head arritën në 160 kilometra në orë, njoftoi shërbimi meteorologjik i qeverisë.
“Kjo është sigurisht më e fortë se mesatarja në Wellington”, tha Dan Neely, zëdhënës i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Rajonit Wellington.
Bëhet e ditur se banorëve u kërkohet të qëndrojnë brenda ku është e mundur. Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Wellingtonit u anuluan dhe shërbimi i trageteve midis Ishujve të Veriut dhe Jugut u pezullua. Një numër shkollash lokale dhe Universiteti Victoria i Wellington u mbyllën./E.T