Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” po vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit me takime në rrethe.
Ditën e sotme (2 maj), kreu i PD-së, Sali Berisha, ka zbritur në qarkun e Beratit, me një takim me mbështetësit në Dimal (Ura Vajgurore), një bashkëbisedim me fermerët e kësaj zone, ku u preantua edhe programi.
Berisha ishte i shoqëruar edhe nga deputetja italiane e Forza Italia, Erica Mazzeti.
Ky takim elektoral vjen një ditë pasi kryesocialisti Edi Rama ishte në këtë qytet dhe qark, po për miting në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.
“Qeverisja socialiste për 12 vite e ka rrënuar fermerin dhe bujkun shqiptar. Akti i parë që do bëjmë ne, është kthimi i parave të shqiptarëve, nuk është slogan por program. Shteti merr vlerën e taksës së shtuar në çdo blerje që bëjnë. Fermerët japin 90% të prodhimit të brendshëm, që punësojnë 500 mijë shqiptarë. Ndërkohë që buxheti i shtetit nga qeveria e lënë për fermerët është vetëm 32 mln euro, subvencione total, në një kohë kur Maqedonia e ka 220 mln euro, Kosova 4-5 herë më të madh se ne dhe Serbia 6- herë më të lartë. Çfarë do ju bëjmë në, do ju kthejmë paratë, nga 32 do e bëjmë 230 mln euro subvencionin, për çro prodhim tuajin”, tha Berisha mes të tjerash.
Ai premtoi edhe pensionet e fshatit, duke thënë se do i njësonte me 200 euro.
“Pensionet në fshat? Në 100 ditët e para do e bëjmë 200 euro, pavarësisht nëse është i plotë apo i pjesshëm, nuk do ketë më pension nën 200 euro. Do kenë edhe kartën e konsumatorit pensionistët e fshatit, do hiqet çdo kriter nëse ke 1 apo 10 lopë, sipas krerëve që kanë, do hiqet krieri për hektarë, do subvencionohen sipas sipërfaqes që kanë. Ballkani i Hapur do hidhet në kosh që javën e parë! Qumështit pluhur do i vëmë taksën që meriton dhe qumështi juaj do shitet i gjithi, do ketë prioritet, s’ka më qumësht pluhur siç kanë bërë këta”, vijoi kreu i PD-së.
Berisha shtoi më tej dhe se “nuk do të ketë më çmime monopol”.
“Nuk do ndodhë më si historia e Kristofor Kolombit me indianët, që u çonte pasqyra dhe u merrte floririn, jo, merr fund kjo histori, nuk ndodh më!”, paralajmëroi ai, teksa iu referua problematikës së grumbulluesve të produkteve të fermerëve dhe bujqve.
Berisha denoncoi edhe lidhjet e oligarkëve me pushtetin, në lidhje me çmimin e naftës, duke thënë se ata i “shtrojnë dreka e darka Ramës dhe marrin naftë kontrabandë për jahtet e tyre, me miliona litra karburant”.
Mes premtimeve të tjera që bëri ishin edhe rimbursimet e medikamenteve, ku theksoi se do të jetë e njëjta listë si ajo e qeverisë italiane./E.T