Shkruar nga Marjana Bulku Zeneli
Poetët munden t’i shprehin ndjenjat dhe emocionet në një mënyrë unike pasi ata kanë fuqinë t’i materializojnë ato në fjalë brenda një forme arti që shpesh lidhet me subjektivitetin ç’ka mishërohet në varg nga ku tërësia e ndjenjave dhe përjetimeve individualizohet dhe bëhet Uni poetik. E kjo poezia nuk është vetëm për poetët, ajo është gjëndje që gjithkush e ka provuar, aplikuar. Poezia eksploron udhëtimin shpirtëror të njeriut, dhe të lë pa frymë, veçmas kur ajo shpaloset përmes lidhjes të dashurisë dhe për t’i kujtuar vetes dhe botës që na rrethon, pse jemi këtu. Poezia është një “gur prove”, se asgjë nuk është e lehtë, porse asgjë nuk është edhe e pamundur. Është i dukshëm respekti dhe pasioni që tregon poeti, sepse ai/ajo jo vetëm e krijon atë (poezinë), me vetëdije, kurajo, ndjenjë, guxim, humanizëm, me imazhe dhe metafora të forta, të goditura dhe të ndjeshme, por edhe i përjeton emocionet e tij/e saj, që të lënë mbresa dhe piklojnë mendim.
T’i japësh muzë apo jetë fjalëve, t’i ngjizësh frymë vargjeve të poezisë, dhe “t’i ndjesh” ato ndër duar teksa i hedh në letër dhe ndërsa i bën bashkë, të ndjesh tingujt dhe muzikalitetin e universit poetik të dhimbjes e dashurisë porsi melheme të shpirtit, derisa fjalët që dalin prej poetit në atë mënyra që ato të mrekullojnë e të befasojnë. Ky lloj zhanër ku zëri i poetit shpesh vjen në vetën e parë, quhet poezi lirike. Është një poezi e bukur, intime, pasionante dhe ka një lëvizje lirike, pasi në çdo fjalë dhe varg frymon një ndjenjë e thellë dhe e butë, por intensive. Kësaj here, në përmbledhjen poetike debutuese, e titullur “Vite poetike”, e poetes së mirënjohur shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu, gjen një stil metaforik dhe lirik, një bashkëbisedim sa mitik dhe intim po aq edhe bashkëkohor, një lirizëm të fuqishëm shpirtëror dhe njerëzor, lirika me imazhe të një raporti tepër të ngushtë mes njeriut dhe jetës, dashurisë dhe dhimbjes, ëndrrës dhe realitetit, magjikes dhe reales, të bukurës dhe shpresës.
Vargje dhe ilustrime të larmishme që fokusohen ndjeshëm tek dashuria, dhe përfshijnë edhe tema të tjera origjinale, sociale, prekëse, atdhe-dashuri, meditative, dedikuese, filozofike, erotike, serenatë, sarkazmë therrëse plot ironi dhe mënçuri dhe në secilën poezi flet vërtet zemra e një gruaje poete. Kritika e kohës, studiues të letërsisë, autorë dhe poetë të njohur të letrave shqipe, miq e kolegë të saj, – sipas të cilëve, -ajo evokon vizionin e një poeteje të talentuar lirike, diskrete dhe guximtare, ku nëpërmjet përjetimeve me vargje të mrekullueshme rrëfyese, të ndjera, kthjelltësi e meditative, ajo është përherë në kërkim të bukurisë dhe mirësisë së një zemre humane.
Poetja shpreh forcën e brendshme njerëzore me një këndvështrim të ri, dhe një mënyrë tjetër të menduari, që shpaloset me forcën e punës dhe pendës së Moisiut, e cila na tregon se sa shumë sukses mund të kenë edhe gratë poete në shoqërinë dhe letërsinë bashkëkohore. Libri është një përmbledhje e bukur me rreth dyqind poezi të shkruara ndër vite, dhe çdo poezi ka një personalitet të vetin. Që në faqen e parë, lexuesi prezantohet me poezinë e titulluar, “Mësuam si të dashurohemi…” – një poezi jashtëzakonisht e bukur lirike, intime dhe shpresëdhënëse; “Në kopshtin poshtë dritares, / Nisëm të pëshpërisnim fjalët e shpresës, / nën tinguj serenatash…”
Teksa lexoja vargjet e poezisë, më duhej të shkëputesha për disa sekonda që të përfytyroja veten dhe të reflektoja para se të vazhdoja më tej. M’u duk sikur poetja u fut në shpirtin tim pikërisht atë çast dhe; “Me lëngun e ëmbël të puthjeve“ “spërkati” (zgjoi) edhe ndjenjat e mija; /Se diçka mund të bënim, diçka të vecantë, / Që i magjeps të gjithë, / Që e kishin bërë të gjithë”. Mbaj mend se teksa lexoja vargjet e sipër-përmendura, ndjeja çdo fjalë e varg brenda zemrës sime.
Poetja Moisiu e kap preçedentin e dashurisë, ndjenjën e të qenit e dashuruar në një mënyrë të përsosur:
“Mësuam se ne mund të dashuronim,
Dhe të dashurohemi marrëzisht…”
Ky impuls dashuror, meditativ, i lirshëm, kurajoz dhe rrëfimtar i poetes, shpesh u referohet përjetimeve, ajo ilustron jetën e gjithsecilit nga ne, u referohet miqve dhe familjes, dhe ato zenë vend kudo që ajo ndodhet mes njerëzores dhe hyjnores për të na ngushëlluar, për të na pëshpëritur ca sinqeritet dhe të vërteta dhe për të na mbështetur, të shprehura në formë të pastër lirike, me fjalë plot mall, dashuri dhe ndjeshmëri; “Kërkoj një strehë, të ngopem, / Me dashuri, ngrohtësi, sinqeritet, brishtësi”-shprehet poetja në vargjet vijuese.
Por gjithashtu poetja na jep shanse për të mësuar më shumë rreth veçorive të ndryshme të dashurisë që priremi të mos i anashkalojmë; Si një Grua, / Grua, / -në tërë dimensionin shpirtëror; / Të pasionit, ndjenjave dhe dëshirave!”
Imazhet mahnitëse janë të ndjera dhe përdoren për të shpjeguar dashurinë si një koncept të përjetshëm dhe të gjallë, që të hapin sytë edhe ndaj pamjeve të mrekullueshme të dashurisë; “Dy të dashuruar të botës së heshtur, / Në ujëvarat e katarakteve të dritës, / Në përhumbjen e duarve të ngrohta, / Kundrojmë madhështinë e qiellit blu, / Dhe si ketra të zënë rob të mëkatojmë;” Dashuria ushqen vlerat, guximin, krenarinë, aventurën dhe çmendurinë, ndaj dhe është e bukur, e mrekulleshme dhe pushtuese e jashtëzakonshme e zemrës deri në verbëri;
“Me verbërinë e zemrës, të zgjojmë lulet, / në kopshtin tonë të hutuar…/ Dy dashnorë të botës së heshtur, / Lulet po zgjohen, /Në kopështin tonë të hutuar!”
Dashuria në poezi është drita hyjnore e fshehtë, himn i shpirtit të madh e të bukur të femrës ku dominon ndjeshmëria e thellë shpirtërore, dhe me lirinë e saj të pafrikëshme dhe të paepur, Moisiu kap tema tabu dhe ruan me fanatizëm “pastërtinë dhe delikatesën femërore”, që e bën poezinë e saj unike, lirike, intime, të mahnitëshme, magjike, dhe krejt njerëzore, por edhe të popullarizuar me “lexuesin e zakonshëm”. Ilustrimet janë të larmishme, ajër dhe aromë lulesh, dhe shumica rrotullohen rreth një pikë qendrore të një zemre ose dy njerëzve që puthen;
“Sonte vetëm puthje dua! / Ajër dua…aromë lulesh dua, / Dhe puthje, shumë puthje, pafund puthje… / Sonte vetëm puthje dua!” Poezia e Raimondës mbështetet në diversitetin, inteligjencën dhe ambicien midis atributeve të tjera, imazhe që përjetohen dhe rrëfehen këndshëm në aliteracion, përfytyrim, portretizim, kadencë, varg i lirë dhe rimë. Poezitë e saj shpesh shfaqin një hapësirë të gjerë të bardhë dhe të paqtë, për të kornizuar fragmente të fuqishme gjuhësore, të cilat janë të plota në imazhet e tyre të gjalla, por lënë hapësirë edhe për interpretim personal: “Nën strehën e flakës së qiririt, / ne bënim dashuri, /Udhëtuam në botën e heshtur të paqes qiellore, / Thurrëm ëndërrat mbi kurorën e ishullit të lumturisë, / Si dy engjëj të bardhë, të çveshur, kapur dorë për dore…”
Qasja e Raimondës është e gjithanëshme dhe si një poete unike dhe aspirante, ajo e personifikon kaq mirë dashurinë. Përdorimi i elementeve dhe figurave letraro-artistike është i gjerë, dhe të koordinuara me filozofinë dhe perspektivën në çdo strofë të saj të vetme, dhe fuqia e pamatë e vargut, tejkalon çdo gjë negative që mund të lidhet me të, duke e ilustruar dashurinë si diçka reale dhe hyjnore. Një tjetër mjet letrar dhe shëmbull i shkëlqyer i gjuhës figurative artistike dhe filozofike është mënyra se si poetja; “si një robinë vështroj veten përditë, /Në pasqyrën e vetmisë mëngjes për mëngjes…” dhe përshkruan ca “…shenja të vogla, të zbehta, /Dhe të mezidukshme, / Që m’i dërgon cdo mëngjes, /Një qënie që qëndron mbi një majë, / Si një përmendore dhe që quhet; Pleqëri!”
Poetja dëshmon bukurinë edhe përmes të qeshurës së saj: “Një e qeshur në mëngjes me shpirt! / Një kamp magjepsës, pafundësisht i bukur, / Ai “kampi” i sekreteve të dashurisë!”
E qeshura e saj është e bukur, ngjitëse dhe pleqëria e saj është fisnike. Kjo e bën atë të buzëqeshë edhe me; “Sekretet e mija, pengjet e mija, /Strukur në një shportë të artë, / Të mbledhura nga kopështi i kujtimeve, /Nëpër gurgullimat e lumit, /Në oshëtimën e një zëri, që më thoshte: Të dua!”
Sepse dashuria është shumë më tepër se kaq, se sa ajo që duket në sipërfaqe. Poezia e titulluar “Sekretet e mija” është më tepër se një poezi individuale, lirike, idealiste, e thjeshtë, dhe e përmbajtur që dëshmon dashurinë dhe u jep vargjeve një cilësi të përjetshme ku ato ndihen mes së shkuarës, të tashmës dhe bashkëkohores, mes hyjnores e njerëzores.
Poezia “Trishtim”, është një poezi tejet trishtuese, por një fantazi absolute. Poetja si një romantike e pashpresë përdor imazhe intime, vetëzbuluese dhe gjuhë figurative për të ripërshkruar marrëdhënien e saj me dramat dhe fatet njerëzore të trishta e emocionuese personale, që e detajojnë poezinë, ajo e ka pranuar këtë lloj gjendje, dhe ende e mban atë në një këndvështrim mjaft realist; “Në castin e shpirtit të nxirë, /Trishtim e mërzitje, / Nuk gjej rezonancë, / Në asnjë shkëndijë drite…”. Është karakteristikë e stilit të Moisiut që gjuha dhe leksiku poetik i saj lexohet si “e shprehur”, dhe si ‘jo-e shprehur”. Është vërtet një akt i vështirë balancues, por meqënëse poetja lëvron letërsinë artistike narrative, ajo shndërron të gjitha shqisat në akord me dilemat dhe përjetimin emocional, përmes vëzhgimeve të holla e të vëmendshme, qoftë edhe në vargje të tillë si: “Mërzitem e trishtohem, /Se e kaluara nuk kthen, /e si gozhdë e ngulur në të sotmen, / Pamundësia më mbërthen…”
Këndvështrimi i poetes në këtë lirikë kaq të bukur e të arrirë ka dhe mjaft psikologji brenda si pasojë e përjetimeve, ka kaq shumë muzë poetike dhe tejet origjinale si edhe një peisazh interesant;“Tallazitur në erërat e kohës, /Që fryjnë në cdo kënd të vetmisë,”/ Ngecur në pengjet e rinisë…”
Pra në një mënyrë ose tjetër, poetja dëshmom marrëdhënien e saj individuale me identitetin unik të botës së brendëshme së emocioneve e përvojave jetësore, u jep kuptim të thellë ndjenjave duke i vargëzuar ato në diçka që ajo mund t’i bartë jetësisht në; “Një serenatë tashmë i thurr vetes, / Ngecur në pengjet e rinisë…”
Një qasje unike kjo e poetes ndaj trajtimit dhe bashkëjetësës me trishtimin, dhimbjen e dashurinë, me brishtêsinë dhe intensitetin e tyre njerëzor. Poetja, Moisiu, ka lindur dhe është rritur në qytetin magjik të serenatave, Korcës, andaj ajo vazhdimisht “kompozon” vargje lirike serenatë dhe përshtat një kontradiktë termash përgjatë poezive të saj. Detaje të tilla shërbejnë si një ekzaminim më të afërt të çdo vargu;
“Ndjehem si një statujë e vetmuar, / Diku në fundvjeshtë, në park, / A si anije e ngecur në fund të detit, / me shpresë për jetën fare pak…”
Gjatë gjithë këtij vëllimi me poezi, poetja Moisiu përdor imazhe të bukura, vecori unike dhe një gjuhë figurative të fuqishme, të ndërthurura me art të bukur abstrakt e ngjyra të gjalla, duke krijuar një marrëdhënie mjaft realiste, që shprehin dashurinë romantike midis një çifti ose dy dashuruarish: “Dy dashnorë të botës së heshtur, / Lulet po zgjohen,/ Në kopështin tonë të hutuar!” Me tone euforike, poetja i drejtohet të dashurit të saj-“Një serenatë për ty, një serenatë për mua, / Një lule për ty, një lule për mua, / Një puthje nga ty, një puthje nga mua, / “Të dua ofshama, ofshama, të dua!”-, duke e siguruar atë për përkushtimin shpirtëror e dashuror të saj, sa ndonjëherë ky përkushtim bëhet idhujtar, si te poezia me titull: “Jam Shaganeja* jote!” Poetja përherë përdor fjalën “dashuri”, në mënyrë vecanërisht ekstatike, aq sa në disa vargje e strofa, toni i ngazëllimit poetik të saj ngjason me zërin poetik të poetëve mistikë Sapho, Esenin dhe Rumi, ku dashuria njerëzore qoftë ajo romantike apo jo, përzihet me hyjnoren.
“Tani që erdhën ditët e ëmbla të pranverës, /Të solla të dashurin tim që ti kurrë se ke parë, /është ky… a të pëlqen? /Ky që të sheh i mahnitur, / Dhe që po puthet me mua me kaq zjarr…” (Poezia “Kur celin trëndafilat”) Fjalët më të zgjedhura, vargje plot ndjenja të buta dhe intensive duket sikur lulëzojnë në këtë strofë. Poetja Moisiu jo vetëm i shkroi këto vargje, por edhe përjetoi emocionet. Çfarë mënyrë madhështore për të prezantuar të dashurin!
Tek poezia “Nëna ime flet me lulen,” një poezi lirike edhe kjo, poetja e lidh në mënyrë eksplicite dashurinë njerëzore me hapjen ndaj të perëndishmes, Nënë: “Nëna ime është brenda meje, /Ndjen dhe ma dëgjon brengën time, /Ecën e frymon me gjakun ndër deje, /E flet me pranverën, zogjve u jep këngën, /Me gjuhë blerimesh…”. Biseda e nënës me lulet dhe dashuria oqeanike e poetes për nënën janë me të vërtetë lëndë e poezisë mistike, dhe intimiteti ambicioz i Moisiut është sigurisht i ndjerë, dhëmbshuror dhe i sinqertë: “Sa të shëndrisin sytë, Nënokja ime, / Sa bukur e hedh vallen, shtruar –shtruar, / Si ajo lundërtarja zemërbutë, që mbledh rrjetat…/ Ti thërret me dorë; Nipin, stërnipin, djalin dhe mua mua!”
(Poezia “Hidhe vallen me brezat, Nënëzo”)
Më tërhoqën vëmendjen një seri poezi apo “poemtha” të një versioni të pazakontë të poezisë së stilit të lirë, ku cdo poemth është një personazh i ri, me një këndvështrim të ri, që poetja Moisiu përdor si te “Në Aeroportin e vetëm të Atdheut”, kushtuar viktimave të Gërdecit, “Ne nuk i kishim faj askujt” kushtuar viktimave të shfrytëzimit të mishit të bardhë dhe të prostitucionit, poema “Duamëni”, një thirrje apel për botën mashkullore të ndalë dhunën ndaj grave, “Besmir-ferishtja e poemës së mjerimit” etj, janë para së gjithash poema më të pazakonta, rrëfime tronditëse, magjepsëse dhe realiste të mirëkuptimit dhe kujtimit që kam lexuar ndonjëherë, dhimbje, trishtim dhe tmerri i pastër gjysmë i fshehur, por i pranishëm në mënyrë të pashmangshme.
Nëpërmjet poezive të saj, me vargje tipike rrëfyese dhe elegjiake, Raimonda rebelohet kundër së keqes dhe fatit të çdo gruaje, mes dhimbjes e dashurisë, rebelohet ndaj paragjykimeve historike gjinore, dhe kundër dhunës verbale, psikollogjike, dhe fizike ndaj gruas dhe e thërret “motër”, atë “binjaken” grua:
“Motër, moj, brof nga varri, flake tutje “vellon e nuses”, / Që ta hodhi lehtë vdekja në krevatin prej druri, /Çirrja maskën lajkave, mashtrimeve dhe epsheve, / Këtyre që qajnë tregoju ç’të bëri një thikë prej “burri!”
Me stilin e saj të thjeshtë letraro-artistik, i pasur në ide dhe e trishtuar në shpirt, poetja vajton pabesinë, tradhëtinë, prostitucionin që ushtrohet ndaj gruas së përvuajtur kudo në botë. Ajo përdor figura të ndjera sintaksore me fuqi emocionale mbresëlënëse dhe me mjeshtëri artistike, filozofike e sociale dhe nuk rresht së apeluari dhimbshëm dhe me ndjeshmëri grafike njerëzore; “Ngrihu, motër nga arkivoli i këtij viti, / Ec me mua, të sokëllijmë, / T’u rrëmbejmë lirinë, burracakëve të pabesë, /Që të vranë në emër të “nderit”, – duke nënkuptuar përvojat jetësore, të heshtura e të vetmuara, gjendje të trazuara dhe dëshirat e ndezura në jastëkun e ëndrrave, për të zbuluar të papërshkrueshmen dhe për të mishëruar emocionin e asaj që nuk mund të shprehet, por në duart e mendjen e një poeteje të talentuar ajo ia del…
Janë poezi që përmbajnë thellësi të mendimit filozofik, dhe që ndryshojnë në mënyrë delikate kuptimet e tyre. Penda poetike e Moisiut është e kursyer dhe aq më e mprehtë për atë që ka mbetur, për gjithçka që ajo ka lënë jashtë, siç bën skulptori mbi një pllakë mermeri… “Sytë e kaltër më panë me dhimbje dhe një herë, / Dhe sërish more fluturim për atë botë, / Me të luturat e mija që të këputnin shpirtin:“Mos u largo! Rri dhe pak! / Jam skllavja jote!”(Poezia” Një pëllumb i bardhë”).
Kjo është poezia lirike dhe Raimonda është një poete që të mrekullon me detaje sa të imta po aq dhe madhështore. Kjo lloj poezie që pohon traditën ekzistuese poetike dhe atë bashkëkohore, do të jetë gjithmonë aktuale, jo vetëm për kohën kur është krijuar, por edhe e kohës sonë dhe me siguri edhe asaj që vjen pas.
Janë të admirueshme temat e ndryshme që autorja trajton në secilën poezi, duke i bërë ato të duken unike edhe nëse flitet për të njëjtën temë. Këtu e kam fjalën për poezitë lirike të dashurisë për të dashurin, prindërit, babanë, nënën, vëllanë, dhe njerëzit e saj të afërt, për miket dhe miqtë e saj, për ata të cilët nuk jetojnë më, humbje për të cilat në më të shumtën e kohës nuk jemi gati dhe kemi dhimbje e dashuri të pamatë. Përpjekjet e poetes për t’u pajtuar me fatin e paepur dhe me mungesën e tyre të përjetëshme dhe prezencën e vazhdueshme, përpjekje që në dukje janë estetikisht komplekse, por emocionalisht të arritëshme. Çdo poemth me temë sociale shpreh forcën e brendshme dhe suportin që kemi të gjithë ne, shprehin frikën, demonët e brendshëm, dashuritë e përjetuara dhe dashuritë e humbura, porse është faktori kohë që njëheresh i shëron, i rinovon dhe i pohon. Raimonda gërsheton imazhe të trishta, lirike, përshkruese, dhe të mrekullueshme, vargje dhe metafora që janë tejet ndikuese te lexuesi. Në secilën poezi të saj, zëri i poetes është sa i pranishëm dhe i fuqishëm, po aq edhe i sinqertë dhe prek çdo aspekt të jetës; dashuri, dhimbje, dhunën ndaj saj. Në të gjithë librin poezitë plotësojnë njëra-tjetrën, dhe ofrojnë kontraste të gjalla metaforash dhe figura letraro-artistike e thellësisht filozofike.
Poetja Raimonda Moisiu padyshim ka një stil të vetin unik, metaforik dhe lirik dhe luan bukur me fjalët dhe vargjet. Ato janë kaq intime, të ndjera e të sinqerta të kombinuara me imazhet e larmishme të përjetimeve dhe përvojave jetësore. Arti abstrakt i përzier me imazhet aktuale përbëjnë një kontrast të fuqishëm, ndërsa vargjet e strofat ndërtojnë rrëfime magjepsëse. Vërtet që poetja nuk është përqëndruar vetëm tek dashuria romantike, por ajo ka ilustruar edhe forma të tjera dashurie që janë thellësisht emocionuese dhe konturojnë dashuri universale. Poetja Raimonda Moisiu është një poete luftëtare dhe e admiroj shumë profilin e saj poetik dhe krijues, ajo nuk dorëzohet edhe kur atëherë kur nuk është e lehtë, sepse është një luftëtare me zemër, gjë që e bën këtë vëllim poetik, më të këndshëm, të prekshëm dhe njerëzor. Së fundmi, mendoj se vecoritë poetike dhe dramatike të Moisiut integrojnë elemente dhe fraza tradicionale në mënyrë që secila të përforcojë dhe pasurojë tjetrën, një veçori kjo e personalitetit të vetë poetes, duke u shndërruar një nga figurat kryesore dhe autoret shqiptaro-amerikane më të lexuara dhe me më shumë ndikim në letërsinë e mërgimit dhe të letrave shqipe. Poezia dhe e krijimtaria e Raimonda Moisiut është përkthyer në disa gjuhë të huaja si anglisht, italisht, greqisht, rumanisht e të tjera, e ku ajo flet fuqishëm në këto kultura, që na tregon se elementët kulturorë intensivisht mund të prekin nivelet e universalitetit. Poezitë e saj promovojnë mirësinë dhe dhembshurinë duke përdorur dashurinë për të arritur tek të tjerët dhe për të gjetur një ndjenjë të vetvetes përmes saj.
Pasionet kanë një lëvizje lirike, pasi në çdo fjalë dhe varg është një ndjenjë e thellë që vështron në zemër të gjërave, forcon interesin tonë për natyrën njerëzore, lartëson shpirtin dhe intensifikon aspiratën tonë për të mirën dhe të bukurën në gjithçka që na rrethon dhe tenton të ngrejë nivelin e jetës sonë duke na ndihmuar që t’i shohim gjërat thelbësore të jetës, qartazi. Poetja Raimonda na kujton përmes vargjeve të saj në mënyrë tërêsisht personale dhe të qëndrueshme reflekset e dashurisë njerëzore.
Disa fjalë për autoren e këtij vëllimi poetik
Raimonda Moisiu Sade pothuajse lëvron të gjitha zhanret e të shkruarit, ajo është e njohur jo vetëm si poete, por edhe romanciere, tregimtare, opinioniste, eseiste, përkthyese, gazetare e pavarur, aktiviste për të drejtat e grave në egzil dhe një publiciste e njohur bashkëkohore, sociale dhe realiste.
Njohja ime personale me Raimonden daton diku në vitin 2014.
Ajo ka qenë për dy mandate Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Me ardhjen e saj në krye të saj shoqata pësoi një ngritje përmes aktiviteteve promovuese. Ajo hodhi idenë e mbajtes se një simpoziumi shkencor për letërsinë dhe ajo zhvilloi për herë të parë simpoziumin e titulluar; “Letërsia dhe roli i saj në Diasporë” një ngjarje kjo që promovoi dhjetra e dhjetra shkrimtarë e poetë. Disa herë ajo organizoi eventet madhështore, “Audiencë me shkrimtarë e poetë” ku në qendër ishin profile krijuese të njohur të Letrave Shqipe dhe në letërsinë e Diasporës.
Raimonda afroi shkrimtarët me akademikët pasi shumë prej veprimtarive letrare zhvilloheshin në mjediset e universitetit Monroe, Bronx, Nju Jork aty ku nuk mungonin edhe studiues e akademikë, dhe i shëndrroi auditorët e kolegjit Monro, të flitej e të dëgjohej fjala dhe letërsia shqipe, për orë të tëra.
Raimonda Moisiu e shtriu poezinë dhe Letërsinë e Diasporës edhe përtej Nju Jorkut te Ditët e letërsisë shqipe në Miçigan, nisi të përvitësonte krijimtarinë poetike e letrare të saj e ku Raimonda Moisiu do të merrte pjesë për vite me rradhë.
Do ta kujtoj gjithmonë si krijuesen modeste që krijimtarinë e saj e pa gjithmonë si proçes integrues i shkrimtarëve shqiptarë në mërgatë pa u vënë kurrë në qendër veten e saj, por duke sjellë gjithmonë bashkë krijuesit dhe lëvruesit e letrave shqipe. Ky botim padyshim një kulmim i maturimit letrar dhe njerëzor i Raimondës dhe padyshim që do të vijojë nga vepra të tjera po aq cilësore e profesionale. Libri “Vite Poetike” vjen edhe në gjuhën angleze “The Poetic Years”, Selected Poems, të përkthyera me mjeshtëri e profesionlizëm nga vetë autorja.
Marjana Bulku Zeneli
Filologe / Shkrimtare/ Gazetare.