Për më shumë se 750 vjet, rregullat strikte kanë përcaktuar se çfarë kardinalët mund të hanë dhe çfarë jo për të penguar mesazhet e fshehta brenda pulës, raviolëve apo pecetave.
Këtë javë, kardinalët janë parë në Romë duke ngrënë në restorantet e tyre të preferuara. Duket se kardinalët po fitojnë sa më shumë kohë të jetë e mundur për vaktet e tyre sepse më 7 maj fillon konklava dhe 135 kardinalët do të izolohen nga bota për një periudhë të pacaktuar kohore. Votimi, fjetja dhe ngrënia do të ndodhin në një hapësirë të izoluar.
Konklavat papale janë tejet hermetike. Kardinalët qëndrojnë në një vend ku nuk hyjnë apo dalin mesazhe veç tymit që sinjalizon si ka shkuar votimi. Ajo që ndodh saktësisht në këto konklava është e panjohur, por diçka dihet: kardinalët duhet të ushqehen gjatë ditëve apo javëve së përzgjedhjes së liderit të 1.4 miliardë katolikëve.
Historikisht, ushqimi ka qenë gjthnjë një rrezik: raviolët e një kardinali mund të ishin të mbushura me një mesazh të fshehtë nga stafi i kuzhinës apo një kardinal mund të informonte botën e jashtme me një pecetë të ndotur.
Kodi i fshehtësisë së konklavave daton që në vitin 1274 kur Papa Gregori X përcaktoi rregullat që ende sot udhëheqin zgjedhjet e papatit. Siç ndodh me përzgjedhjen e shumë papëve, edhe e tija kishte kundërshtime. Ishte gjithashtu më e gjata sepse u deshën thuajse 3 vjet që të përmbushej kuota e dy të tretave për zgjedhjen e papës së ri. Sipas Henricus de Segusio që shërbente në atë konklavë, banorët kërcënuan që do të pakësonin ushqimin e kardinalëve për të përshpejtuar rezultatin.
Rregullat e reja të Papa Gregori X përfshinin izolimin e konklavës, çka zbatohet edhe sot dhe racionimin e ushqimit të kardinalëve. Pas 3 ditësh pa konsensus, kardinalët merrnin vetëm një vakt, pas 8 ditësh, vetëm bukë dhe ujë.
Në vitet 1300, rregullat u zbutën nga Klementi VI që lejoi tri vakte me supë, një pjatë kryesore me mish, peshk apo vezë dhe ëmbëlsirë që mund të përmbante djathë ose fruta. Racionimi nuk ka vijuar, por kontrolli i rreptë mbi konklavat po.
Historia më e detajuar sa i përket ushqimit të konklavës vjen nga Bartolomeo Scappi, shefi më i famshëm i kuzhinës gjatë periudhës së Rilindjes i cili u shërbeu Papa Pius IV dhe Pius V. Në librin e tij “Opera Dell’Arte del Cucinare”, ai zbardh sekretet e ushqimit në konklavën që përzgjodhi Papa Julius III dhe mbikëqyrjen e tejskajshme që vijon sot.
Sipas tij, vaktet e ditës për kardinalët, përgatiteshin në kuzhinën e përbashkët nga kuzhinierët dhe somelierët, dy role të zakonshme që lejonin punën e konklavës. Ai thotë se kuzhina ishte një hapësirë ku mund të jepeshin mesazhe të ndaluara dhe thekson se rojet vendoseshin aty për ta parandaluar.
Dy herë në ditë, sipas shortit, shërbyesit dërgonin ushqimin me ceremoni te ruota. Kjo “rrotë” e ndërtuar në mur, lejonte kalimin e ushqimit dhe pijeve te kardinalët në murin e brendshëm. Para se të kalonin përmes murit, pijet dhe ushqimi kontrolloheshin për mesazhe të fshehta. Çdo hap vëzhgohej me kujdes nga rojtarë italianë dhe zviceranë.
Ushqimet kontrolloheshin dhe nuk lejohej asgjë që mund të fshihte një mesazh. Byrekët. Një pulë. Vera dhe uji servireshin në gota qelqi të tejdukshëm. Pecetat hapeshin dhe kontrolloheshin me kujdes. Kjo siguronte izolimin, por edhe shmangien e helmimit sepse gjatë periudhës së Rilindjes, papati kishte edhe influencë politike.
Vaktet përmbanin fruta, sallatë, djathë, verë dhe ujë të freskët. Secili kardinal kishte dhomën e tij të zbukuruar me mëndafsh dhe të pajisur me shtrat, tavolinë, dollap, dy stolë, një tualet dhome etj. Sipas Scappi, të shërbeje në konklavë s’ishte keq nëse s’të pengonte vëzhgim i vazhdueshëm.
Në konklavën e 7 majit, murgeshat e Santa Martës do të përgatisin pjatat e thjeshta karakteristike të Lazio dhe Abruzzo: supë, spageti, shishqebap qengji dhe perime të ziera. Rezultati është i njëjtë: procesi mbikëqyret në mënyrë rigoroze për t’u siguruar që nuk hyn apo del asnjë informacion.
Tani Vatikani po kontrollohet për pajisje të fshehura elektronike derisa të fillojë konklava dhe kardinalët kanë nisur përgatitjet e tyre, duke u dyndur në Romë për të ngrënë disa vakte zemre, ndoshta duke menduar nëse kjo do të jetë darka e tyre e fundit para se të bëhen papë./e.t