Policia Kufitare godet një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit. Në pranga ka rënë një 37-vjeçar, Kasem Qato ndërsa janë shpallur në kërkim 2 persona tjerë.
Sekuestrohen 10 piktura me vlerë rreth 25 000 euro.
Njoftimi i policise
Në vijim të punës së bazuar në analizën e riskut, të kryer nga Policia Kufitare e PKK Port Durrës, në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, furgoni me drejtues shtetasin K. Q.
Nga kontrollet në këtë mjet, janë gjetur 10 vepra arti (piktura), të padeklaruara, për të cilat ky shtetas nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Q., 37 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Q. H., 25 vjeç, banues në Fier dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi nga hetimet dyshohen si bashkëpunëtorë të shtetasit K. Q., për trafikimin e pikturave. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim./e.t