Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka informuar Zërin e Amerikës (VOA) se stafi i tij mund të rinisë transmetimin e programeve javën e ardhshme, pasi transmetuesi u mbyll në mars nga administrata e presidentit Donald Trump, tha një organizatë joqeveritare për lirinë e medias dhe një punonjës i VOA.
VOA, që është transmetues i financuar nga shteti amerikan, ka audiencë ndërkombëtare dhe është mbyllur që kur Trump urdhëroi Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyrë VOA dhe transmetues të tjerë – përfshirë Radion Evropa e Lirë –dhe gjashtë agjenci të tjera federale që të ulnin në minimumin e kërkuar nga ligji punën e tyre.
“Një avokat i Departamentit të Drejtësisë i ka dërguar një email avokatit tonë, David Seide, për ta informuar që USAGM pret që stafi i VOA të mund të nisë ‘rikthimin me faza’ në punë dhe transmetimi të rinisë javën e ardhshme”, tha gazetari i VOA, Steve Herman në një postim në X.
Ndërkaq, më 3 maj edhe dy punëtorë të VOA thanë se emailet e punës, që u ishin bllokuar, tani janë zhbllokuar edhe pse ende nuk kanë pranuar një njoftim zyrtar që u thotë se mund të kthehen në punë.
Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij tha se avokatët e tyre, së bashku me ata të Zërit të Amerikës, ishin njoftuar nga Departamenti i Drejtësisë se punëtorët e transmetuesit do të lejohen që të kthehen në punë.
“E kemi kuptuar që më herët gjatë ditës, USAGM ka aktivizuar llogaritë e 1.406 punëtorëve të USAGM-it dhe Zërit të Amerikës dhe bashkëpunëtorëve”, thuhet në emailin e dërguar nga Departamenti i Drejtësisë, sipas Reporterëve pa Kufij.
“USAGM aktualisht pret që stafi të nisë kthimin në zyra javën e ardhshme, teksa çështjet e sigurisë, hapësira e ndërtesës dhe pajisjet kërkojnë një kthim në faza”, u tha në email, ku u shtua se “USAGM pret që programet e Zërit të Amerikës të rifillojnë javën e ardhshme”.
Më 21 mars, VOA ngriti padi ndaj administratës Trump, duke argumentuar se lëvizjet e administratës për mbylljen e transmetuesit ishin të paligjshme.
Më pas, USAGM dërgoi në pushim më shumë se 1.000 punonjës dhe ndërpreu kontratat me rreth 600 bashkëpunëtorë, duke e detyruar VOA, që për herë të parë që nga themelimi më 1942, të ndalë transmetimin.
Padi ndaj USAGM ka ngritur edhe Radio Evropa e Lirë, për të “shmangur dëmin e pariparueshëm” ndaj transmetuesit për shkak të mbajtjes pezull të grantit – të miratuar nga Kongresi – si pjesë e përpjekjeve të USAGM-it për të ndërprerë financimin e REL-it.
Më 2 maj, Gjykata e Apelit në SHBA lëshoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të vendimeve paraprake gjyqësore dhe duke lejuar administratën Trump që përkohësisht të ndalë financimin për REL-in dhe transmetuesit e tjerë.
Ky vendim, sipas gjykatësve të Apelit, u mor në mënyrë që të ketë mundësi të shqyrtohen kërkesat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë në emër të USAGM.
Vendimi i Apelit erdhi disa ditë pasi një gjykatës federal urdhëroi USAGM-in t’i lëshojë REL-it fondet për muajin prill.
USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë./REL/E.S