Edi Rama dhe Sali Berisha janë rikthyer pas 12 vitesh në garë të drejtpërdrejtë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Javët e fundit kanë qenë shumë aktivë. Të dy janë “kafshë politike” dhe i shohim duke udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë plot energji.
“Fjala.al” po bën një analizë të shkurtër për fushatën e secilit prej tyre, duke bërë një vlerësim se cila palë ka strategjinë dhe stilin më të mirë:
Edi Rama – Kryeministri është politikani më kreativ i fushatave zgjedhore dhe gjithmonë duket sikur “rishpik” veten. Pavarësisht se ka 12 vite në pushtet, Rama edhe këtë herë duket i freskët dhe aspak i konsumuar. Fati i tij është Sali Berisha. Duke patur përballë si rival një 81-vjeçar, i cili ka qenë gjithsej për 13 vite në pushtet (5 si president dhe 8 si kryeministër), Rama e ka të thjeshtë të shmangë debatet lidhur me punën dhe projektet e qeverisë në këto tri mandate. Qytetarët kritikë të Ramës, në ndërgjegjen e tyre, vendosin në kandar bilancin e Berishës si kryeministër me atë të Ramës si kryeministër. Mijëra shqiptarë kujtojnë skemat piramidale, luftën civile, Gërdecin dhe 21 janarin. Kjo i jep avantazh Ramës, i cili thuajse çdo ditë u kujton njerëzve se “bufi” demokrat, siç e quan ai rivalin politik, ka dështuar në qeverisje kur ishte kryeministër. Rama po luan bukur edhe me aninime humoristike, ku me video të përjavshme sulmon jo vetëm Berishën, por edhe Lapajn dhe Bashën. Ky i fundit ka fituar viralitet online vetëm falë Ramës. Qëllimi i kryeministrit është që vota opozitare të shpërndahet e të copëzohet në sa më shumë subjekte politike. Kjo e ndihmon që të thellojë diferencën me PD. Etiketimet si “këneta”, “bufi” dhe “plaku” kanë ngjitur te votuesit. E veçanta e Ramës është se gjatë fushatës flet me gjuhën e popullit. Ai e di se çfarë kërkon populli të dëgjojë. Deri tani, ai ia ka dalë ta kthejë fushatën si një muaj feste e gëzimi, duke anashkaluar debatet politike për bilancin apo programin. Kjo i jep avantazh.
Sali Berisha – Trumbetoi ekspertin LaCivita, por ky i fundit rrallë vjen në Shqipëri. Gafa me intervistën e fundit për gazetarët e huaj e rëndoi shumë situatën. Lajmi për 6 milionë dollarët e lobimit i kanë prishur shumë punë Partisë Demokratike, sidomos tani që janë ditët më vendimtare. Berisha po gabon shumë me lapsuse të përditshme, të cilat Rama nuk i fal dhe i publikon në rrjetet sociale. Një tjetër gabim i Berishës është se po shfaqet i vetëm, duke injoruar faktin se është 81 vjeç, i stërkonsumuar politikisht. Votuesit gri nuk mund të tërhiqen nga figura e tij. Ata do të mirëprisnin një fushatë në ansambël, duke parë si protagonistë emra me pëlqyeshmëri publike si Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku. Berisha po bën të kundërtën. Partia Demokratike duket tepër e limituar në ide, sepse thuajse gjithçka është përqendruar tek individi Berisha. Kjo “mbledh” partinë dhe ruan kuotat e votave të militantëve, por nuk e rrit koalicionin e Shqipërisë Madhështore. Deri tani, fushata e demokratëve nuk ka asgjë për t’u përgëzuar. Madje, duket tepër e thatë, e fokusuar vetëm te programi, duke përmendur shifra dhe statistika, por duke mos transmetuar shpresë për të ardhmen. PD-së i mungon entuziazmi dhe kjo tregon se demokratët më 11 maj do të marrin më pak mandate se në 2021 (59 + 4 nga LSI). m.p.