Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u bën thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë në botë, të cilët ende nuk e kanë marrë zarfin me fletën e votimit, por kryesisht atyre në Greqi ku situata paraqitet më tepër problematike, që të kontaktojnë shërbimin postar.
Sipas kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, emigrantët shqiptarë që janë regjistruar si votues nga diaspora por që nuk e kanë marrë ende zarfin, duhet të kontaktojnë shërbimin e DHL në Greqi për t’u informuar për dërgesën nga KQZ.
Pas shqetësimeve nga emigrantët dhe subjektet politike në Shqipëri, për shkak se është një numër i konsiderueshëm mbi 20 mijë zarfe të padorëzuara, KQZ është vënë në lëvizje dhe ka njoftuar se do të kontaktonte edhe vetë shërbimin postar ndërkombëtar.
Mungesa e njoftimit apo e kontaktimit të këtyre zgjedhësve deri tani nga DHL është kryesisht për shkak të problemeve me adresën e banimit të deklaruar në PER, e cila nuk përputhet me adresën aktuale në terren, thotë Celibashi.
Gjithashtu, një tjetër problematikë është edhe përdorimi i numrave të kontaktit shqiptarë, ku zgjedhësi nuk ka akses. m.p.