Mero Baze shkruan se ka vetëm një aspekt ku Partia Demokratike i ka të fituara këto zgjedhje: dhunën e ushtruar gjatë fushatës.
“Të paktën tre drejtues politikë të Partisë Demokratike në tre qarqe të rëndësishme janë bërë të famshëm në këtë fushatë zgjedhore për dhunë personale ndaj qytetarëve apo kundërshtarëve”, shkruan gazetari, i cili vijon:
“Xhelal Mziu në Dibër, i cili u përfshi në rrahje fizike me kundërshtarët e tij; Nallbati në Bilisht, që iu turr si shqiponjë një kamionisti vetëm sepse, kur ky i fundit tentoi ta parakalonte, dora e shoferit që i thoshte “mos parakalo” iu duk sikur i thoshte “voto 5”; dhe Gjin Gjoni në Lezhë, i cili është vendosur nën hetim për manipulim të denoncimeve për dhunë, nga mbështetësit e tij.
Pra, nëse opozita kishte shpresuar të ndërtonte gjithë narrativën e saj mbi dhunën e pushtetit, deri më sot kemi zero raste dhune nga përfaqësues të rëndësishëm të mazhorancës, dhe të paktën tre drejtues qarqesh të opozitës që janë zyrtarisht nën hetim për dhunë.
Kjo është, pa dyshim, një epërsi e padiskutueshme e opozitës në këto zgjedhje. Ata janë të bindur se duke u sjellë si “të fortë” apo duke provokuar incidente, fitojnë më shumë pikë.
Edhe më interesant është reagimi i PD zyrtare ndaj këtyre ngjarjeve: në asnjë rast nuk ka pasur distancim, përkundrazi ka pasur mbështetje. Kjo tregon se dhuna është pjesë e një linje të miratuar në selinë qendrore, që nuk arrin të konkretizohet në çdo qark, por aty ku drejtuesit politikë marrin vetë situatën në dorë — dhe rrahin vetë. Në këtë pikë, Mziu, Nallbati dhe Gjin Gjoni meritojnë lavdërime. Deri më 11 maj, ata janë realisht superiorë në këtë fushë.
Problemi është se gjithë strategjia e PD-së është ndërtuar mbi idenë që do të denoncojnë zgjedhjet pas 11 majit. Sipas edhe sondazheve më pranë vetë PD-së, rezultati do të jetë një humbje e thellë. Në këtë skenar, dhuna në fushatë është një element i rëndësishëm për të justifikuar humbjen.
Por fatkeqësisht për ta, këtë betejë për dhunë e ka fituar opozita. Deri tani nuk ka ndodhur ndonjë vrasje si në vitin 2021, por për sa i përket rrahjeve, nuk kanë qenë keq. Prandaj, më 12 maj, kur Berisha të bërtasë “bandat dhe krimi më vodhën zgjedhjet”, duhet të ketë parasysh se tre banditët kryesorë ishin tre drejtuesit e tij politikë, të cilët janë nën hetim nga prokuroria.
Në një farë mënyre, ai e ka fituar betejën për të rrahur socialistët fizikisht, madje dhe për ti ngrënue krudo, por do të humbasë thellë betejën me vota. Dhe, siç duket, opozitës i shkon më shumë dhuna se vota. Hallall e ka këtë fitore!” m.p.