Në një intervistë të sinqertë për podcastin e Jay Shetty-t, Michelle Obama ka ndarë përvojën e saj aktuale me terapinë, duke theksuar rëndësinë e kërkimit të ndihmës gjatë fazave të reja të jetës.
“Jam në terapi sepse po kaloj një periudhë tranzicioni,” shpjegoi ajo. “Kam përfunduar një kapitull të vështirë të jetës sime, duke ruajtur integritetin e familjes sime. Tani, vajzat e mia janë të rritura dhe kanë nisur jetën e tyre. Unë jam një nënë me ‘fole të zbrazët’.”
Pas tetë viteve në Shtëpinë e Bardhë dhe me vajzat që tashmë janë të pavarura, Michelle ndjen se çdo vendim që merr është plotësisht i saj. “Nuk mund të them më: ‘E bëj këtë për vajzën time’, apo ‘për burrin tim’, apo ‘për vendin’. Tani, gjithçka varet nga unë.”
Për të përballuar këtë fazë të re, ajo ka vendosur të kërkojë ndihmë profesionale. “Po bëj një lloj ‘kontrolli teknik’. Besoj se kjo është një fazë krejtësisht e re e jetës sime. Dhe tani kam mençurinë për të thënë: ‘Ok, le të kërkojmë ndihmë ndërsa jemi në këtë proces’.”
Mesazhi i saj është i fuqishëm dhe universal: “Unë jam një mbështetëse e madhe e terapisë. Të gjithë duhet të gjejnë atë që funksionon për ta, mënyrën e duhur për të përballuar gjërat.” Ajo inkurajon thyerjen e tabuve rreth ndihmës psikologjike dhe e sheh atë si një mjet për rritje personale.
Fjalët e Michelle Obamës vijnë në një kohë kur, pas pjesëmarrjes së Barack Obama-s vetëm në funeralin e ish-presidentit Jimmy Carter dhe në ceremoninë e dytë të inaugurimit të Donald Trump-it, u përhapën thashetheme të pabaza rreth martesës së tyre. Michelle vendosi të mos komentojë drejtpërdrejt këto spekulime, por e trajtoi temën në një intervistë tjetër për podcastin “Work in Progress” të Sophia Bush-it.
“Nuk ka qenë kurrë e lehtë për ne gratë të marrim vendime pa frikën se do t’i zhgënjejmë të tjerët. Këtë vit, kur mora një vendim për veten time, njerëzit nuk mund ta konceptonin. Ata duhej të supozonin se unë dhe Barack po divorcoheshim.”
Ajo thekson se shoqëria shpesh nuk është gati të pranojë që një grua mund të marrë vendime për veten pa pasur nevojë të japë llogari për to.
Pavarësisht thashethemeve, Michelle ka theksuar se martesa e saj me Barack nuk është në krizë./E.Ç