36-vjeçari Ervin Totolaku, i cili goditi me grusht djalin e kandidatit për deputet Luçiano Boçi, është arrestuar nga policia e Elbasanit. Blutë bëjnë me dije se ndaj Totolakut rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ngjarja ndodhi më 7 maj, në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, ku një sherr mes disa personave nisi papritur gjatë takimit elektoral të Kryetarit të PD, Sali Berisha.
Siç u bë me dije, Parid Boçi, djali i drejtuesit politik të PD në Shkodër, Luçiano Boçi, ishte i përfshirë në sherrin e dhunshëm, i cili pësoi dëmtime të lehta.
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ervin Totolaku, 36 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi më datë 07.05.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin Parid Boçi, për motive të dobëta’, njoftoi sot policia. /e.s