Ka nisur Giro d’Italia 2025, një nga garat më të mëdha dhe më prestigjioze të çiklizmit botëror. Kjo garë u krijua si iniciativë nga gazeta sportive italiane La Gazzetta dello Sport, për të rritur tirazhin dhe për të konkurruar me mediat e tjera, duke u frymëzuar nga suksesi i Tour de France, i themeluar në vitin 1903 nga gazeta franceze L’Équipe. Botuesit italianë lançuan edicionin e parë të Giro-s në vitin 1909.
Giro d’Italia është një nga tri garat më të rëndësishme në botën e çiklizmit, së bashku me Tour de France dhe La Vuelta a España, të njohura si “Tri Garat e Mëdha”. Edhe pse nuk u zhvillua gjatë dy Luftërave Botërore, gara filloi të ndërkombëtarizohej nga mesi i shekullit XX, duke përfshirë etapa edhe jashtë territorit italian.
Gara zgjat tre javë dhe përfshin rreth 21 etapa që variojnë nga ato të sheshta, në malore dhe kronometër individuale. Ajo përfshin disa klasifikime të ndryshme: ai i përgjithshëm për fituesin absolut; për pikë për sprinterët më të mirë; për ngjitje për çiklistët më të mirë në male; për çiklistët e rinj nën 25 vjeç dhe klasifikimi për skuadrat, bazuar në kohën e përgjithshme të anëtarëve më të mirë të secilit ekip.
Gara organizohet nga RCS Sports, një degë e grupit mediatik RCS MediaGroup, që është edhe pronar i gazetës La Gazzetta dello Sport. Kjo kompani italiane është e specializuar në marketing dhe menaxhim të eventeve sportive, duke organizuar gjithashtu gara të tjera të rëndësishme si Il Lombardia dhe Strade Bianche.
Giro bën pjesë në UCI WorldTour, niveli më i lartë i çiklizmit rrugor për meshkuj, i organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI). Brenda këtij kalendari ndodhen deri në 35 gara, përfshirë Tri Garat e Mëdha.
Edhe pse organizatorët nuk publikojnë të dhënat financiare të audituara për garën, disa raporte analizojnë ndikimin ekonomik të saj. Në edicionin e kaluar, të ardhurat vjetore u vlerësuan në rreth 30,1 milionë dollarë (25,5 milionë euro).
Fondi i çmimeve për edicionin 2025 është rreth 1,6 milionë euro. Fituesi i përgjithshëm do të marrë 265.668 euro, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë do të shpërblehen me 75.000 dhe 40.000 euro përkatësisht. Çiklistët që përfundojnë nga vendi i katërt deri në të dhjetin do të marrin nga 7.000 deri në 5.000 euro secili. Përveç kësaj, lideri i përditshëm i klasifikimit të përgjithshëm, që mban Maglia Rosa (Fanellën Rozë), fiton një shpërblim prej 2.000 euro për çdo etapë, që mund të shkojë deri në 42.000 euro nëse e ruan lidershipin gjatë gjithë garës.
Maglia Rosa është fanella e liderit të klasifikimit të përgjithshëm, e prezantuar për herë të parë në vitin 1931, e frymëzuar nga ngjyra rozë e faqeve të La Gazzetta dello Sport.
Gjatë më shumë se një shekulli të historisë së saj, Giro ka pasur kampionë të mëdhenj. Alfredo Binda, një nga çiklistët më dominues të kohës së vet, fitoi pesë herë: në vitet 1925, 1927, 1928, 1929 dhe 1933. Madje, një herë organizatorët e paguan për të mos garuar, për shkak të dominimit të tij të jashtëzakonshëm.
Fausto Coppi dhe Eddy Merckx janë dy emra të tjerë që kanë fituar gjithashtu nga pesë herë Giro-n. Coppi, i njohur si “Il Campionissimo”, fitoi edhe Tour de France në vitin 1949, ndërsa Merckx është një nga çiklistët më të mëdhenj në histori.
Fituesi i edicionit 2024 ishte Tadej Pogačar, i cili, në debutimin e tij, fitoi gjashtë etapa malore dhe mbajti Maglia Rosa për 20 ditë, një rekord për 34 vitet e fundit. Për edicionin aktual, ndër çiklistët më të njohur që marrin pjesë janë Primož Roglič (fitues në 2023), Egan Bernal (kampion në 2021) dhe Richard Carapaz (fitues në 2019), ndër të tjerë./E.S