Nesër në Shqipëri mbahen zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Fushata elektorale përfundoi prej mesnatës së mbrëmshme, pas një muaji takimesh elektorale dhe fjalimesh në mitingje.
Në shumë qarqe të vendit ka nisur dhe po vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KQZ në KZAZ-të e ngritura dhe më pas nga këto të fundit drejt qendrave të votimit në njësitë administrative apo bashkitë ku janë ngritur.
Në Pogradec informohet se KZAZ nr. 70 po shpërndan bazën materiale, teksa konfirmohet se sipas vendimit të Gjykatës, do të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës.
Edhe në Kukës ka nisur shpërndarja e materialeve nga KZAZ drejt fshatrave më të thellë malorë fillimisht, që të mbërrijnë në kohë.
Edhe në Lezhë procesi po vijon normalisht dhe gjithashtu në qarqet e tjera, ku deri tani nuk raportohet ndonjë problematikë apo incident dhe pengesë.
Shpërndarja e materialeve zgjedhore po bëhet edhe në KZAZ nr. 2, që përfshin zonën e Dukagjinit dhe Njësitë Administrative të Bashkisë Shkodër dhe në të trija KZAZ-të e Lushnjës dhe Divjakës.
Gjithashtu ka filluar mesditën e sotme shpërndarja e materialeve zgjedhore në tre KZAZ- të 58, 59 dhe 60 në bashkinë Fier.
Edhe në Lezhë dhe Pukë ka nisur procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ditën e sotme në të gjitha qendrat e votimit dhe pritet të përfundojë në oret e mbrëmjes. /E.T