Kandidati i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka bërë akuza të rënda për tentativat e intimidimit të qytetarëve në qytetin e Lushnjës. Ai deklaroi se ka pasur grupe të armatosura që po përpiqen të ndikojnë dhe frikësojnë votuesit në qendrat e votimit.
Korreshi theksoi se ka hasur në përballje me tre grupe të armatosura, të cilët nuk ishin nga zona dhe udhëtonin me makina të tilla si Golf dhe Benz. Sipas tij, këta persona janë të përfshirë në veprimtari të patronazhit dhe mundohen të intimidonin qytetarët që nuk i njohin. Ai shtoi se ka njoftuar shefin e komisariatit për këtë situatë të shqetësueshme, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.
Korreshi: Janë të armatosur nëpër qendra, sa herë futet një makinë që s’e njeh fusin duart, ia kam dërguar shefit të komisariatit, u përballa me 3 grupe, nuk janë as nga zona. I kemi me surrat, makinat e të gjitha, sa tentohet të hyet, ky fuste dorën në marsup, është një Golf dhe një Benz, asnjë s’është nga Lushnja, çdo makinë bën patronazhimin, kë s’njohin tentojnë ta intimidojnë./e.t