Rezultati total: PS 77, PD 52, PSD 3, SHB 3-5, PM 2-4 dhe LB 1.
Ky ishte parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve nga “Fjala.al” pak ditë më parë. Redaksia bëri disa llogari për 12 qarqet e vendit dhe njëzëri ishim të sigurt se Partia Socialiste do të fitonte thellë.
Sigurisht, me leximin e deritanishëm të vullnetit të qytetarëve, rezulton se PS ka fituar edhe më shumë nga sa kishim parashikuar ne. Shifra jonë ishte 77, por socialistët kanë fituar (aktualisht) 83.
Parashikuam 52 mandate për Partinë Demokratike dhe koalicionin e saj, thuajse 100% të saktë, sepse ishte lehtësisht e dukshme që opozita parlamentare ka rënie të theksuar.
Parashikuam 100% saktë mandatet e Partisë Socialdemokrate dhe të Lëvizjes Bashkë. Ku gabuam? Ndoshta u hipnotizuam nga virtualiteti që kishin krijuar Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj. Redaksia jonë priste 3 deri në 5 mandate nga Lapaj, duke menduar se diaspora do ta nderonte për angazhimin e tij të tejskajshëm në Europë dhe SHBA. Ndërkohë, Shehaj deri tani po ruan dy mandate dhe jemi brenda parashikimeve tona.
Presim nëse votat e diasporës do të rezultojnë sukses për Lapajn në vijim, edhe pse deri tani duket e kundërta. Ai nuk ka rritje as në vende si Italia apo Gjermania, ku priste shumë vota. m.p.