Disa orë pasi qendrat e votimit u mbyllën në Shqipëri, mbetet e paqartë nëse Partia Socialiste në pushtet siguroi një mandat të katërt historik apo nëse Partia Demokratike e opozitës kaloi përpara pas një fushate zgjedhore të ashpër. Asnjë kanal lajmesh shqiptar nuk publikoi sondazhe paraprake, duke i lënë votuesit dhe vëzhguesit në errësirë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve që shihen si kritike për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zyrtarët zgjedhorë presin që rezultati të mësohet deri të martën.
“Sondazhet e daljes nga votimet nuk u publikuan as nga kanalet lajmesh të cilat njoftuan se do të kishin sondazhet e tyre natën e zgjedhjeve,”- tha për POLITICO, Lutfi Dervishi, një analist politik.
“Nuk ka një përgjigje të qartë se pse ndodhi kjo.”
Një sondazh i vetëm i publikuar nga Albanian Post, e njohur për pikëpamjet e saj pro-qeveritare, tregon një fitore vendimtare për socialistët e kryeministrit Edi Rama me 51 përqind, me demokratët e Sali Berishës që mbeten ndjeshëm prapa me 38 përqind. Transmetuesit nuk kanë ofruar asnjë shpjegim të qartë për vendimin e tyre për të mos publikuar sondazhet, duke transmetuar histori të zakonshme si analiza mbi atë që mund të nënkuptojë një fitore për secilin kandidat ose mbi incidente të vogla si dëmtimi i një kutie votimi në Kamëz.
“Mendoj se partitë politike në vend mund të kenë ushtruar presion mbi mediat që të mos dekurajonin komisionerët që merrnin pjesë në procesin e numërimit të votave,”-, shtoi Dervishi.
Gazetarët në Shqipëri janë nën presion të veçantë gjatë zgjedhjeve, sipas Reporterëve pa Kufij. Megjithatë, vendi renditet më lart në indeksin e lirisë së shtypit të organizatës sesa disa vende fqinje si Greqia, Kosova dhe Serbia. Në Shqipëri, kutitë e votimit udhëtojnë nga qendrat e votimit në qendrën e mbledhjes së votave të rrethit, ku zyrtarët numërojnë me dorë çdo votë nën sytë vigjilentë të monitoruesve të partive dhe vëzhguesve nga të gjitha partitë politike, si dhe organizatave të shoqërisë civile, në një përpjekje për të garantuar një numërim të drejtë dhe transparent.
Për shkak të karakterit të këtyre zgjedhjeve, të dyja partitë dukeshin të vendosura të inkurajonin komisionerët e tyre zgjedhorë dhe vëzhguesit e numërimit të votave që të siguroheshin që çdo votë të regjistrohej pa asnjë ndikim.
“Nëse del një sondazh daljeje dhe thuhet se njëra palë humbi, kjo mund të kërcënojë seriozisht integritetin e procesit të votimit”, tha Dervishi.
Por çdo media e vendit dukej se kishte formuar një ‘omerta’ heshtjeje dhe vendosi të mos i publikonte sondazhet e para duke lënë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të japë lajmet e shifrave. Gazetarët vendas dhe ndërkombëtarë që mbuluan zgjedhjet, përfshirë edhe ata të POLITICO-s, e kaluan mbrëmjen duke kontaktuar me transmetuesit kryesorë të lajmeve në vend, si Top Channel dhe Ora News, por nuk morën asnjë përgjigje të qartë se pse nuk u publikuan sondazhet.
Vota e diasporës
Shqipëria ka rreth 3.5 milionë votues të regjistruar, me të paktën 1.4 milionë qytetarë që jetojnë jashtë vendit. Për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, qytetarëve iu lejua të votonin edhe nga jashtë vendit. Rreth 245,000 votues nga diaspora shqiptare janë të regjistruar për të ushtruar të drejtën e tyre, ndërsa 190 mijë të tjerë votuan të dielën në Shqipëri.
Një përleshje shpërtheu midis vëzhguesve në qendrën kryesore të numërimit të votave në stadiumin Olimpik të Tiranës, pasi mbërritën kutitë e votimit me vota nga diaspora nga Greqia. Vëzhguesit e Partisë Demokratike kërkuan që komisioni të rishikonte vlefshmërinë e fletëve të votimit, duke shkaktuar tensione. Kreu i opozitës, Sali Berisha, lëshoi një deklaratë duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos i nënshtrohet presionit për të nxituar procesin e numërimit të votave.
“Vota është në duart e komisionerëve, të cilët mbajnë përgjegjësinë më të madhe. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet nën presion.”
Sondazhet parazgjedhore e vendosnin Partinë Socialiste të Ramës në krye, megjithatë Partia Demokratike e opozitës luftoi për të ringjallur bazën e saj dhe për të rikthyer veten – duke punësuar edhe ish-strategun e Trump, Chris LaCivita, për të formësuar platformën e saj.
Nëse socialistët sigurojnë një mandat tjetër, Rama, i cili ka qenë në pushtet për 12 vjet, do të bëhet udhëheqësi më jetëgjatë i Shqipërisë që nga sundimtari komunist Enver Hoxha.
Marrë dhe përkthyer nga Politico/e.s