Policia ka arrestuar vëzhguesin, i cili dyshohet i Partisë Socialiste, që ditën e djeshme dhunoi sekretarin e KZAZ 30 me grushte e shqelma brenda ambienteve të qendrës së numërimit të votave.
Në pranga ka rënë 26 vjeçari me iniciale R. N., ndërsa është shpallur në kërkim 40 vjeçari me iniciale O. D., i dyshuar i përfshirë në konflikt.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasin R. N., 26 vjeç, pasi dje, në KZAZ Nr. 30, ka goditur me grushte dhe shkelma shtetasin R. M., me detyrë sekretar i KZAZ. Gjithashtu, në lidhje me rastin është shpallur në kërkim shtetasi O. D., 40 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt. Punohet për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit;
DHUNA
Sekretari i KZAZ 30 në Kashar, Remzi Mehmeti tregoi për mediat, ditën e djeshme, se si nisi sherri, ku disa persona u futën brenda perimetrit ku bëhet numërimi dhe e goditën me grusht.
Sipas tij, vota e kontestuar i përkiste Orlando Rakipit të Partisë Socialiste. Sekretari deklaroi se nuk i kishte identifikuar personat, por theksoi se kishte bërë kallëzim dhe ia ka lënë në dorë policisë.
“Kishte një votë të pa kontestuar dhe vëzhguesit në këtë rast, e kontestoi me shumë forcë. Unë u afrova dhe i thashë qetësohuni, do ta shohim votën dhe do të kthejmë përgjigje. Ata filluan të ngrenë zërin dhe të ofendojnë. I thashë që do marr masa për tiu larguar nga KZAZ. Ata kaluan perimetrin e sigurisë dhe më pas pamjet ju i keni parë.
Vota që po kontestohej ishte vota e Orlando Rakipit. Ishte votë e PS dhe normalisht duhet të ishin njerëzit e tij. Në ishim vetëm për ta vlerësuar”, tha Sekretari i KZAZ, Remzi Mehmeti ./e.s