Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, do të marrë vendimin në lidhje me situatën e numërimit të votave të diasporë, kryesisht të Greqisë, ditën e sotme në orën 15:00.
Në mbledhjen e sotme, përfaqësuesit ligjorë të PD dhe PS kanë renditur sërish pretendimet e tyre në lidhje më këtë situatë.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu theksoi edhe një herë se Partia Demokratike nuk ka kërkuar në asnjë momet që zarfet të mos numërohen, por që të veçohen dhe të merret informacion nga DHL.
“Në asnjë moment s’ka qenë qëndrimi i PD që zarfet të mos i nënshtrohen vlerësimit dhe numërimit. Ne kemi kërkuar të veprojmë në këtë fazë duke u mbajtur në vende të veçantë. Vetë KSHZ i është drejtuar më një kërkesë operatorit të shërbimit postar për informacion dhe pastaj të shohim sa nga 53 mijë zarfeve reflektojnë vullnetin e lirë. Ne kemi kërkuar që në këtë fazë të veçohen, ashtu siç ka ndodhur. Të presim të marrim informacionin që do na sjellë DHL dhe pasi të administrohet informacioni le të vijomë këtu dhe të mbajmë qëndrimet përkatëse.”, tha Logu.
Ndërkohë që përfaqësuesja e PS, Elena Xhixho, ka theksuar se pretendimet që të kryhen hetime në këtë fazë është një procedurë që nuk është në asnjë kuadër rregullator. Ajo përsëriti sërish kërkesën e PS për një vendimmarrje për vijimin e këtij procesi.
“PS ka parësore të lexohet vullneti i zgjedhësve. Në asnjë normë të kuadrit ligjor nuk kemi një fazë kur vetë grupi i numërimit mund të bëje hetime mbi zarfin B. Dhe të vlerësojë nëse zarfi B është dorëzuar në dorë. Ky proces ka shkuar rreth një muaj në zgjatjen e tij, ne si subjekte politike kemi pasur mundësi të ndjekim procesin. S’mund tani në fund të procesit një mujor që të kërkojmë nga DHL si i ka dorëzuar zarfet. Në momentin që kemi qenë prezentë që zarfet janë administruar nga KQZ nuk kemi ngritur kontestime lidhur me administrimin e zarfeve. Kemi pasur mundësinë që të shkojmë në qendrën ku mblidheshin zarfet. Pretendimet që të kryhen hetime në këtë fazë është një procedurë që nuk e kemi në asnjë kuadër rregullator. Juve si komsioner dhe forcat politika kanë bërë thirrje qytetarëve që të kthejnë vetë zarfet dhe pikërisht kjo ndodhi. Mendoj qe për sa kohë s’kemi një procedurë të përcaktuar shprehimisht për një hetim administrativ do ngelen provat konkrete të paraqitura nga subjekti politik që ka këto perëndime. Ne i qëndrojmë kërkesës sonë për një vendimmarrje për vijimin e këtij procesi”, u shpreh ajo./e.s