Takimet para mbajtjes së Komitetit politik Europian në Tiranë, duket se kanë qenë një mundësi e madhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe shteteve të tjera. Britania e Madhe ka hedhur idenë për të bërë një marrëveshje ushtarake për të prodhuar dhe shitur armë, ndërsa mund të ekzistojë mundësia për të hapur një kamp tjetër refugjatësh
Shqipëria ka marrë vëmendje ndërkombëtare, pasi për dy ditë rresht në Tiranë do të mbahet Komiteti Politik Europian. Edhe pse samiti mbahet nesër, shefi i Qeverisë i ka nisur takimet që dje. I pari që kryeministri Edi Rama ka pritur dhe ka mbajtur një konferencë për shtyp ishte kryeministri britanik Keir Starmer. Ndërsa në takim u theksua vijimi i marrëdhënies Shqipëri-Britani e Madhe, kryeministri britanik Keir Starmer, nga porti i Durrësit duke folur për mediat e huaja u shpreh se qeveria është gati të fillojë bisedimet me vendet e treta për ngritjen e qendrave të pritjes për azilkërkuesit e refuzuar. “Ajo që duam të bëjmë tani dhe për të cilën po diskutojmë, janë qendrat e pritjes në të cilat një person i cili ka kaluar nëpër sistemin e Mbretërisë së Bashkuar, duhet të kthehet dhe ne duhet të sigurohemi që ata të largohen. Do ta bëjmë këtë, nëse mundemi, përmes qendrave të pritjes”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer. Duke i larguar azilkërkuesit e refuzuar në një vend tjetër, qeveria britanike synon të shmangë alternativa të tjera të gjetura nga refugjatët për të marrë leje qëndrimi siç është krijimi i një familjeje. Zyrtarët do të zhvillojnë negociata me vendet pritëse të mundshme gjatë muajve të ardhshëm. Ndërkohë, për mediat britanike Starmer tha se qeveria e tij është e vendosur për të luftuar emigracionin e paligjshëm. “Është krejtësisht e papranueshme që dikush të hipë në një varkë të vogël dhe të kalojë Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria e mëparshme humbi kontrollin e kufijve. Jam i vendosur që ne do ta rimarrim kontrollin e kufijve.Kjo do të thotë që duhet të bëjmë një përpjekje të përbashkët për të shkatërruar bandat që po zhvillojnë këtë tregti të ndyrë”, tha Keir Starmer, kryeministri britanik. Kryeministri britanik u shpreh se rritja e bashkëpunimit me vende si Shqipëria ka dhënë frytet e para dhe kjo është reflektuar edhe në shifra.
Bashkëpunimi në armatim
Kryeministri britanik Starmer, gjatë konferencës për shtyp nga qyteti bregdetar u shpreh se Britania e Madhe dhe Shqipëria do të thellojnë partneritetin e tyre strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë. Kryeministri britanik tha se dy vendet do të punojnë për prodhimin dhe shitjen e mjeteve ushtarake. “Kam kënaqësinë që të shprehem këtu për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, ndërmjet Britanisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Një partneritet që do thellojë bashkëpunimin tonë në fushat e mbrojtjes, sigurisë, do të frenojë e pengojë emigracionin e parregullt dhe të maksimizojë potencialin që ne kemi për investime në veçanti në sektorët e mbrotjes. Për këtë arsye jam shumë i kënaqur që përpara jush mund të shprehem për deklaratën tonë të përbashkët që ne kemi për bashkëpunimin pra në sektorin e mbrojtjes e do punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e mjeteve ushtarake. Pra, një deklaratë e qëllimit, se do të thotë që ne dëshirojmë të fuqizojmë sigurinë kombëtare, si dhe rritjen ekonomike të vendeve tona“, tha Starmer. Sakaq, shtoi dhe rëndësinë e qëndresës së luftës në Ukrainë, që duhet si marrë si shembull për mbrojtjen e kontinentit. “Ky është një moment të cilin shtetet evropiane duhet të bëjnë qëndresë daj agresionin rus në kontinent sot. Më vonë sot unë do të shkoj të vizitoj trupat shqiptarë dhe ato të Mbreterisë së Bashkuar, që po punojnë së bashku për të mbrojtur lirinë tonë dhe qytetarët tanë, sepse këto janë vijat e para të betejës së Ukrainës me vlerat e Perëndimit”, tha ai.