Numërimi i fundit i votave të diasporës për Qarkun e Lezhës në Parkun Olimpik në Tiranë ka sjellë jo vetëm ankth e pasiguri mes palëve politike, por edhe tensione fizike pas shpalljes së rezultatit që i dha Partisë Demokratike mandatin e katërt në këtë qark.
Pas konfirmimit të fitores, përfaqësues të PD-së festuan rezultatin, por momentet e gëzimit u shoqëruan me incidente. Deputeti Flamur Noka, i pranishëm në sallë, ka hyrë në përplasje me kreun politik të PS-së për Diasporën, Taulant Balla. Sipas raportimeve, Noka i zuri rrugën Ballës, duke shkëmbyer fjalë me të dhe më pas e shtyu me duar. Të pranishmit ndërhynë për të shmangur agravimin e mëtejshëm të situatës.
Në skenë u shfaqën dhe figura të tjera të Partisë Demokratike, si deputeti Xhelal Mziu, i cili tentoi të ndiqte Ballën, por ky i fundit u ndalua në kohë nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili e kapi nga xhaketa për ta qetësuar situatën.
Kjo ngjarje pasqyron tensionin e lartë që shoqëroi numërimin në Lezhë, një prej qarqeve me garën më të ngushtë dhe vendimtare për ndarjen e mandateve mes PS dhe PD. Festimet e PD-së dhe përplasjet që pasuan i dhanë një fund të tensionuar një gare që u ndoq me interes të madh politik dhe publik./E.T