Komisioni Evropian ka publikuar raportin e pranverës për periudhën 2025–2026, ku parashikon një ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike në Shqipëri. Sipas projeksioneve të raportit, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.6% në vitin 2025 dhe me 3.5% në vitin 2026.
Ky ngadalësim lidhet kryesisht me përfundimin e efektit të reformës së pagave në sektorin publik, që në vitet e fundit ka nxitur ndjeshëm konsumin dhe rritjen ekonomike. Po ashtu, edhe vrulli i turizmit, një nga motorët kryesorë të ekonomisë, pritet të zbutet, pas rritjeve vizitorëve që janë regjistruar kohët e fundit.
“Për periudhën 2025–2026, rritja e PBB-së parashikohet të moderohet në krahasim me vitet e mëparshme, por të mbetet solide. Rritja e konsumit publik pritet të ngadalësohet me shuarjen e efektit të reformës së pagave, ndërsa konsumi privat pritet të mbetet i fortë, i mbështetur nga rritja reale e pagave dhe përmirësimet në tregun e punës. Investimet do të rriten falë kushteve të favorshme financiare dhe zbatimit të Agjendës së Reformës nën kuadrin e Mekanizmit të Rritjes dhe Reformave të BE-së.”, thuhet në raport.
Pavarësisht këtij ngadalësimi, raporti sjell edhe vlerësime pozitive për indikatorë të tjerë makroekonomikë. Inflacioni, i cili ra ndjeshëm në vitin 2024, pritet të stabilizohet dhe të rikthehet në objektivin 3% gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë, borxhi publik dhe deficiti buxhetor do të vijojnë prirjen zbritëse, me borxhin që do të ulet gradualisht falë rritjes nominale të PBB-së dhe ruajtjes së suficitit primar.
Komisioni nënvizon se, ndonëse rritja ekonomike do të mbetet solide, Shqipëria përballet me rreziqe të jashtme dhe të brendshme, përfshirë emigracionin, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe pasiguritë globale që mund të ndikojnë te investimet e huaja./e.s