Lista Serbe kërkon kompromis, Prishtina vazhdon mbylljen e institucioneve të Serbisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Derisa Lista Serbe u bën thirrje vendeve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca – të përfshihen në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për funksionimin e ndërmarrjes Ujësjellësi Ibër, autoritetet e Kosovës po vazhdojnë me mbylljen e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Më 16 maj, u mor nën kontroll objekti i Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut. Ditët paraprake u mbyllën edhe hapësirat e palestrës sportive, muzeut të qytetit, Institutit për Kulturë, Rini, Sport dhe Shërbime të Specializuara, si dhe të Shoqatës Kulturore-Artistike Kosovski Bozhur.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme, më 14 maj se partia e tij “është gjithmonë për një zgjidhje kompromisi” që duhet kërkuar përmes bisedimeve dhe dialogut.

“Për fat të keq, nuk kemi me kë të bisedojmë, sepse dialogu me autoritetet në Prishtinë nuk ekziston – ata e refuzojnë”, tha kreu partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi.

Ky është rasti i parë që Lista Serbe kërkon një kompromis për mbylljen e institucioneve serbe, të cilat autoritetet e Kosovës i konsiderojnë si paralele dhe ilegale, dhe të cilat kanë nisur të mbyllen në fillimin e vitit 2024.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) nëse aktualisht ekziston gatishmëri për dialog mbi funksionimin e mëtejshëm të institucioneve të financuara nga Beogradi.

Çfarë nënkuptohet me zgjidhje kompromisi?

Delegacioni i Listës Serbe më 15 maj, në një takim me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, shprehu shqetësim për valën e re të mbylljes së institucioneve serbe nga autoritetet e Kosovës.

Sipas njoftimit të kësaj partie, ata paraqitën “propozime konkrete për tejkalimin e situatës së krijuar”, që përfshijnë, ndër të tjera, kthimin e menjëhershëm të të gjithë punonjësve në vendet e tyre të punës në kompaninë serbe Ujësjellësi Ibër.

REL-i iu drejtua Listës Serbe për sqarime rreth natyrës së këtyre propozimeve kompromisi dhe nëse ato përfshijnë edhe institucionet e tjera të mbyllura, por nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, zhvilloi takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Beograd, ku theksoi se “tema prioritare në dialogun me Prishtinën duhet të jetë shtensionimi” dhe se “për këtë duhet të fillojë diskutimi”.

Ai u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve të QUINT-it që të angazhohen “për të ndalur dhunën e Albin Kurtit ndaj serbëve dhe institucioneve serbe”.

“Thirrje e vonuar për kompromis”

Politologu nga Prishtina, Dritëro Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Listës Serbe për kompromis është e vonuar, dhe se kjo parti duhej ta kishte adresuar më herët, përpara se të niste bojkotin e institucioneve të Kosovës në vitin 2022.

Ai shtoi se Lista Serbe e ka humbur kredibilitetin pas bojkotit të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në vitet 2023 dhe 2024, dhe se realiteti në terren ka ndryshuar.

“Kjo çështje [e mbylljes së institucioneve serbe] lidhet më shumë me dialogun Kosovë–Serbi dhe me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Por, në fund të fundit, pa marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke, nuk do të ketë dialog real në këtë kuptim”, tha Arifi.

Lexo edhe :  Osmani kritika BE-së: I keni hapur derën atyre që shkojnë te Putini dhe bllokoni Kosovën

Ndërkaq, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, vlerësoi se për autoritetet e Kosovës nuk është në interes që të ndërpriten shërbimet e ndërmarrjeve komunale, dhe beson se do të gjendet një zgjidhje për funksionimin e tyre.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të jetë e mundur për institucione të tjera serbe që ekzistojnë paralelisht me ato të Kosovës, si komunat, qendrat për punë sociale, e të tjera.

“Varet nëse ato institucione janë të nevojshme për Kosovën. Për ato që janë të nevojshme, është e pashmangshme të gjendet një zgjidhje”, tha Gogiq.

Ndërkohë, ndërmarrja publike komunale në Shtërpcë – komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës – ka rifilluar punën brenda sistemit të Kosovës pasi ishte mbyllur në fillim të majit.

Protesta dhe reagime ndërkombëtare

Anëtarë të klubeve sportive që përdornin hapësirat e palestrës së mbyllur protestuan të premten në Mitrovicën e Veriut, duke kërkuar që ajo t’u kthehet, në mënyrë që t’i vazhdojnë aktivitetet. Në protestë morën pjesë edhe disa anëtarë të Listës Serbe.

Të rinjtë, shumica prej të cilëve ishin të shoqëruar nga prindërit, thanë se “po u mohohet e drejta për të ushtruar sport dhe aktivitete”.

Nga Komuna e Mitrovicës së Veriut thanë se palestra është funksionale dhe se të interesuarit për ta përdorur duhet t’i drejtohen personave përgjegjës për caktimin e orareve.

Megjithatë, Bashkimi Evropian reagoi më 16 maj, duke vlerësuar se veprimet e autoriteteve të Kosovës rrezikojnë ngritjen e tensioneve në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

BE-ja, po ashtu, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të pranuar nga të dyja palët në vitin 2023, dhe që të fillojnë menjëherë zbatimin pa vonesa apo kushte të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

“Kjo përfshin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve”, thuhet në reagim.

Ky Asociacion ishte parashikuar të rregullojë, ndër të tjera, funksionimin e institucioneve serbe, pagesat dhe financimet nga buxheti i Serbisë.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, më 15 maj përsëriti se çështja e mbylljes së institucioneve serbe duhet të trajtohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – çka, sipas autoriteteve në Prishtinë, është e papranueshme, pasi ata theksojnë se po vendosin rend, ligj dhe sundim të ligjit.

Beogradi, në anën tjetër, refuzon të mbyllë institucionet e tij në Kosovë. Disa prej tyre i ka zhvendosur në qytetet kufitare brenda territorit të Serbisë, ndërsa ka vazhduar të paguajë pagat mujore për të punësuarit.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë gjithashtu reagoi, duke paralajmëruar se mbyllja e institucioneve serbe pa një tranzicion institucional, pa alternativa të qëndrueshme dhe pa përfshirjen e komunitetit lokal “rrezikon seriozisht qasjen e komuniteteve jo-shumicë në shërbimet bazë”./ REL m.p.

Të fundit

Turizmi, net-qëndrimet e të huajve në hotele u rritën me 32%, kryesuan italianët

Pavarësisht lëkundjes së lehtë që shënoi lëvizja e shtetasve në muajin e tretë të vitit, të dhënat e hoteleve...

Gjikondi: Berisha po shkon si “çeço” në SPAK, jo më si kaposh në ballkon

Pas zvarritjeve disamujore, dosja “Partizani” këtë të hënë kaloi për gjykim dhe ish-kryeministri Sali Berisha do të hetohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Juristja...

KQZ urdhëron numërimin të dy kutive me vota të panumëruara në Durrës dhe Elbasan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftuar se ka marrë vendim në lidhje me procesin zgjedhor, duke urdhëruar numërimin fillestar të dy kutive të votimit që...

“Rruga për në burg ka nisur”/ Avokati paralajmëron fatin e Berishës

Për herë të parë në gjykatën e posaçme do të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj një ish-kryeministri për akuzën e korrupsionit. Gjykata e Posaçme vendosi...

Fitoi mandatin e deputetit/ Erald Kapri: Vota e Diasporës cenoi fshehtësinë e votës

Erald Kapri do të jetë për herë të parë në Parlament dhe mandatin e mori duke garuar me Partinë Mundësia, që arriti të marrë...

Lajme të tjera

Web TV