Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, po joshet nga ideja për të provuar një aventurë në Arabinë Saudite. Arsyeja dihet, për disa miliona euro më shumë, krejtësisht normale në këtë epokë.
Tekniku zikaltër, finalist i Champions League, është objektivi kryesor i Al-Hilal, klub që kërkon një zëvendësues të Jorge Jesus.
Sipas asaj që raportoi sot La Gazzetta dello Sport, pronari i klubit saudit beson se e ka bindur trajnerin të pranojë ofertën. Ata janë takuar prillin e shkuar në Milano. Inzaghi nuk ka thënë ende “po”, por kjo është pritshmëria.
Inzaghi deri-tani dihet që ka rënë dakord të udhëtojë në Riad më 1 qershor, menjëherë pas finales së Champions League në Mynih kundër Paris Saint-Germain. Paga që i ofrohet në Arabinë Saudite? 20 milionë euro në vit. m.p.