Në Gazën e rrënuar nga lufta dhe uria, 12-vjeçarja Jana Mohammed Khalil Musleh Al-Skeifi është bërë shtylla e familjes së saj. E veshur me një bluzë rozë me fotografi të Hirushes, ajo endet çdo ditë mes rrënojave, pluhurit dhe dheut me një legen në dorë, në kërkim të ujit dhe ushqimit. CNN sjell historinë e saj, e cila që nga momenti kur një snajper izraelit vrau vëllanë e saj, ka marrë mbi supe përgjegjësi që nuk i përkasin një fëmije. Prindërit e saj janë në gjendje të keqe shëndetësore, kështu që tani i takon asaj të kujdeset për ta.
“Nuk dua që babai im të lodhet. Kjo është arsyeja pse jam e fortë. Dua të jem e fortë, që babai im të mos vuajë”, tha Jana për CNN, ndërsa priste në radhë në një pikë shpërndarjeje uji në qytetin e Gazës. “Babai im është i moshuar dhe ka sëmundje të zemrës. Nëse përpiqet ta mbajë kovën, që të mos rrëzohet”.
Duke ia kursyer të atit punën e lodhshme, vajza e vogël mbante dy kova të rënda plot me ujë gjatë gjithë rrugës për në shtëpi, nyjet e gishtërinjve i ishin zbardhur nga ngarkesa e rëndë dhe xhinset i ishin lagur nga uji që derdhej andej-këndej.
Gjetja e ushqimit dhe ujit u bë e vështirë pasi Izraeli nisi luftën e tij brutale në Gaza pas sulmit terrorist të 7 tetorit nga Hamasi dhe aleatët e tij. Por situata është bërë katastrofike që kur Izraeli vendosi një bllokadë totale ndaj të gjitha ndihmave më shumë se 11 javë më parë.
Një raport i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, i publikuar këtë muaj, tha se një në pesë persona në Gaza po përballen me urinë, pasi territori, ku jetojnë 2.1 milionë njerëz, po i afrohet më shumë urisë së shkaktuar nga njeriu.
Izraeli tha se bllokada, së bashku me një fushatë të re ushtarake, synon të bëjë presion mbi Hamasin që të lirojë pengjet e mbajtura në enklavë. Por shumë organizata ndërkombëtare e kanë akuzuar Izraelin se po përdor urinë si armë lufte.
Sigurimi i ujit të pastër ka qenë i vështirë për muaj të tërë, sepse Izraeli kufizon aksesin në pajisjet e trajtimit të ujit dhe të shkripëzimit, duke pretenduar se këto artikuj mund të përdoren për të prodhuar armë.
Mjekët pa Kufij, organizata humanitare, tha se më shumë se dy të tretat e 1,700 artikujve të ujit dhe sanitarëve që kërkoi të sillte në Gaza midis janarit 2024 dhe fillimit të marsit 2025 u refuzuan nga autoritetet izraelite.
“Mezi mbush një kovë, sepse nuk ka një sistem të mirëfilltë radhe, dhe nëse pret, mund të mos marrësh asgjë. Ndonjëherë na duhet të rrimë pa ujë. Rri aty me orë të tëra duke pritur vetëm të mbush një kovë. Është një ndjenjë e tmerrshme”, tha Jana,
Familja i tha CNN se në të kaluarën ka përdorur ujë të kripur për të pastruar dhe gatuar.
“Pikë uji në oqeanin” e nevojës
Ushtria izraelite njoftoi të dielën se do të lejojë që një “sasi bazë ushqimi” të hyjë në Gaza, ndërsa nisi ofensivën e saj të re të madhe në Rrip. Arsyeja, tha ushtria, ishte fakti se një “krizë urie” në Gaza do të “rrezikonte operacionin”.
Të nesërmen, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tregoi se Izraeli e kishte ndërmarrë këtë hap sepse aleatët e tij perëndimorë , përfshirë Shtetet e Bashkuara, po kërcënonin të tërhiqnin mbështetjen e tyre për vendin nëse ky i fundit do të lejonte që Gaza të binte në zi buke.
Por vetëm pesë kamionë u lejuan të hynin të hënën, kur organizatat humanitare thanë se nevojiteshin 500 në ditë vetëm për të ushqyer ata që kanë më shumë nevojë. Shefi i ndihmës së OKB-së, Tom Fletcher, e përshkroi shpërndarjen si një “pikë në oqean të asaj që nevojitet urgjentisht”.
Uria po bëhet katastrofike. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 57 fëmijë kanë vdekur nga efektet e kequshqyerjes që nga fillimi i luftës.
Mbesa e vogël e Janës, Janat, ishte njëra prej tyre, thotë familja e saj.
Të gjithë vetëm po shikonin
Ndërsa Janat lindi e vogël, me peshë vetëm 2.6 kilogramë, nëna e saj, Aya, i tha CNN-së se vajza po rritej dhe po shtonte në peshë. Ajo u bë një foshnjë e shëndetshme, duke arritur një peshë prej rreth 4 kilogramësh. Ajo mësoi të buzëqeshte, ishte vigjilente. Por gjërat ndryshuan kur Janat ishte gjashtë javëshe.
Më 2 mars, Izraeli vendosi bllokadën totale ndaj Gazës, duke penguar hyrjen në Rrip edhe të furnizimeve më themelore, përfshirë formulën për foshnje dhe ilaçet.
Aya tha se kur ushqimi u bë i pakët, ajo filloi të kishte vështirësi në ushqyerjen me gji të Janatit, e cila filloi të humbiste peshë. Foshnja zhvilloi diarre kronike, u dehidratua dhe shumë shpejt u sëmur aq shumë saqë ajo kishte nevojë për kujdes mjekësor.
“(Në spital) thanë se kishte një qumësht të veçantë mjekësor që do ta ndihmonte të shtonte në peshë dhe të ndalonte diarrenë, por ne nuk mundëm ta gjenim. Ne kërkuam në të gjithë Gazën, spital më spital, farmaci më farmaci. Edhe Ministria e Shëndetësisë na tha se nuk ishte i disponueshëm”, tha Aya për CNN.
Një video e CNN-së e Janat nga mesi i prillit tregon foshnjën e vogël të mbështjellë dhe të përqafuar fort nga Aya. Fytyra e saj e vogël është e gjitha me kocka nën lëkurë dhe ajo duket më shumë si një e porsalindur sesa si një fëmijë katërmuajsh. Gishtat e saj të hollë e të gjatë dalin nga batanija dhe ajo duket e përgjumur. Sytë e saj të mëdhenj ngjyrë kafe janë e vetmja pjesë e trupit të saj të rraskapitur që duket se janë në gjendje të lëvizin, shikimi i saj ndjek njerëzit ndërsa ata lëvizin rreth saj.
Në të njëjtën kohë, edhe nëna e Janatit po vuante, e dobësuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit të pastër. Ashtu si shumë nëna të reja në Gaza në këto kushte, ajo humbi qumështin e saj, duke qenë e paaftë për të ushqyer foshnjën e saj. Raporti i urisë i mbështetur nga OKB-ja tha se pothuajse 11,000 gra shtatzëna në Gaza janë tashmë në rrezik të urisë, dhe gati 17,000 gra shtatzëna dhe që ushqejnë me gji do të kenë nevojë për trajtim urgjent për kequshqyerje akute gjatë muajve të ardhshëm.
Gjendja e Janat vazhdonte të përkeqësohej. Nëna e saj i tha CNN-së se foshnja filloi të luftonte për të mbajtur temperaturën e trupit dhe mjekët thanë se niveli i sheqerit në gjak ishte rrezikshëm i ulët. Nivelet e oksigjenit po binin. Kequshqyerja shkaktoi mosfunksionim të veshkave dhe mëlçisë dhe si rezultat, gjaku i saj u bë acidik.
“Iu luta të gjithë botës ta shpëtonin. Doja vetëm dikë ta shpëtonte, t’i siguronte qumështin që i nevojitej. Por askush nuk mundi të ndihmonte. Të gjithë po shikonin”, tha nëna e Janatit.
Ajo i tha CNN se mjekët në spital i kishin rekomanduar Janatit trajtim mjekësor jashtë vendit. Familja madje arriti të siguronte dokumentet e nevojshme, duke përfshirë një referim dhe një leje që Janat të largohej.
Por vajza e vogël vdiq më 4 maj, përpara se kjo të bëhej e mundur. Në moshën katër muajshe, ajo peshonte vetëm 2.8 kilogramë, pak më shumë se pesha e saj e lindjes.
Evakuimet mjekësore nga Gaza kanë qenë jashtëzakonisht të rralla, madje edhe më shumë që kur Izraeli rifilloi operacionet ushtarake pas prishjes së armëpushimit në mars.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha javën e kaluar se rreth 12,000 pacientë në Gaza kanë nevojë për evakuim mjekësor dhe se vetëm 123 persona janë evakuuar që nga vendosja e bllokadës në mars.
Duke shfletuar fotot e Janatit, një ditë pas vdekjes së foshnjës, Jana u përlot dhe u mërzit. “Na thanë se nuk mund të trajtohej nëse nuk udhëtonte jashtë vendit. Ne pritëm, ata vazhdonin të thoshin ‘E shtunë’ dhe ‘E diel’, ne pritëm derisa ajo vdiq”, tha Jana.
“Ndihem sikur kam vdekur”
Pas 18 muajsh lufte, çdo aspekt i jetës së Janës është i mbushur me vështirësi. Ajo ka shumë pak ushqim për të ngrënë dhe ujë për të pirë, nuk ka shkollë për të shkuar, nuk ka vend të sigurt për të fjetur. Nuk ka energji elektrike dhe vendi që ajo e quan shtëpi është një shtëpi gjysmë e shkatërruar në Qytetin e Gazës. Muret e saj janë të djegura nga zjarri.
Jana jetonte në një shtëpi ku uji vinte nga rubineti dhe drita shfaqej me një klikim të çelësit. Kishte ushqim, shkollë, një shfaqje vallëzimi gjatë së cilës ajo dhe shoqet e saj ishin në qendër të vëmendjes, duke veshur rroba të njëjta dhe duke kërcyer ndërsa të gjithë duartrokisnin.
Një video familjare nga eventi duket si çdo video tjetër e bërë nga prindër krenarë të një fëmije që performon në publik. Është paksa e dridhur, e zmadhuar nga Jana ndërsa ajo kërcen përreth.
Duke e parë atë mes shkatërrimit, të rrethuar nga shtëpi të bombarduara dhe grumbuj rrënojash, pamjet duken sikur kanë ardhur nga një univers tjetër.
“Nuk më ka mbetur askush. Ndihem sikur kam vdekur”, tha 12-vjeçarja për CNN, ndërsa lotët i rridhnin faqeve. “Emocionalisht, jam e vdekur”.
Familja e madhe e Janës është shkatërruar nga lufta. Ajo ka humbur një vëlla, një kunat, një kushëri dhe një mbesë, dhe është e tmerruar nga humbja e nënës së saj e cila ka kancer në tiroide që aktualisht nuk mund të trajtohet në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, më shumë se 53,000 palestinezë janë vrarë në luftë gjatë 18 muajve të fundit, afërsisht 4% e popullsisë së Rripit. Kjo do të thotë se nga çdo 40 persona që jetonin në Gaza para luftës, një tani është i vdekur.
Por ka pak kohë për të vajtuar për ta kur mbijetesa kërkon kaq shumë përpjekje.
Fëmijë të uritur kërkojnë ushqim
Më 12 maj, një ditë para se CNN të takohej për herë të fundit me Janën, ajo arriti të gjente ushqim për të blerë: 500 gramë makarona për 50 shekel ose 15 dollarë.
Ashtu si shumë familje në Gaza, ata i bluajnë makaronat në miell për të bërë bukë, një përpjekje për ta bërë atë të zgjasë më shumë. Gaza ka kohë që ka mbetur pa miell.
Të nesërmen, kur një kuzhinë e komunitetit aty pranë furnizohet me ushqime, një turmë e madhe fëmijësh të uritur mblidhet brenda pak minutash.
Ata vëzhgojnë çdo lëvizje të punëtorëve, duke pritur me padurim momentin kur ushqimi të jetë gati.
Është e qartë se nuk ka mjaftueshëm për të gjithë, kështu që fëmijët garojnë duke shtrirë krahët për ta afruar tenxheren e tyre sa më shumë që të munden përpara, duke u përpjekur me dëshpërim të tërheqin vëmendjen e atyre që shpërndajnë vaktet. Disa bërtasin dhe qajnë.
Jana është me fat. Dy topa makarona me salcë domatesh të holluar me ujë i bien në legenin e saj. Ajo duket e rraskapitur dhe e uritur, por e lumtur.
Ndërsa ecën për në shtëpi me kovën me ushqim, ajo nuk e prek atë. Jo derisa të kthehet në shtëpi ku e presin vëllezërit e motrat, mbesat dhe nipërit e uritur.
Vetëm atëherë, duke e ndarë atë me ta, Jana e lejon veten të përfshihet në të./E.T